Një debat i ashpër ka ndodhur këtë të enjte në Kuvendin mes kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Përplasja nisi pas akuzave të Shehajt, i cili pretendoi se Balla disponon një apartament me sipërfaqe 500 metra katrorë pranë stadiumit “Air Albania”.
Balla iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit, duke e sfiduar Shehajn, duke i thënë se nëse rezulton se zotëron një apartament të tillë, do të dorëzojë menjëherë mandatin e deputetit.
Por Balla nuk u ndal me kaq, ai hodhi akuza të forta ndaj Shehajt duke pretenduar se ky i fundit kishte paguar 500 mijë euro për t’u futur në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.
“O Agron, ma ka thënë Luli, ‘Agron Shehajn e futa në listë për deputet se më dha 500 mijë euro Dhe ti ke ardhur në politikë duke blerë mandatin,” u shpreh Balla.
Pjesë nga fjala e Taulant Ballës:
Ke dalë nga papafingoja e pallatit tënd dhe ke thënë që Balla ka një shtëpi 500 metra katrorë. Nëse del e vërtetë, unë jap dorëheqjen nga mandati i deputetit, iki nga kjo sallë dhe nuk vij më.
Nuk jam unë maskara si puna jote, sepse unë jam përballur, kam 21 vite në këtë sallë. Sikur të kisha një fije floku keq, më kishte vrarë Sali Berisha para teje. Sikur të kisha bërë një gabim të vetëm, unë të sfidoj.
Unë jam subjekt i deklarimit të pasurisë që në vitin 2003. Për atë apartament ku jetoj me familjen time, do të më duhet të punoj deri në vitin 2044 për ta shlyer me kredi. Kam edhe 18 vite të tjera për ta shlyer. Ai apartament nuk është i imi, por i bankës. Kur ta shlyej atë kredi, do të jetë shtëpia e fëmijëve të mi. Ti je matrapaz, ti pastron para, Agron Shehaj. Paratë e call center-ave i ke pastruar me vila.
Sa i përket të tjerave, ore zotëri, ja ku e ke grupin e PD-së. Ti hajdutët i bëre të dhënat e PD-së dhe në zgjedhjet e vitit 2025 u dërgoje SMS anëtarëve të PD-së dhe u kërkoje votën. Për këtë çështje, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave të ka dënuar. Më sfido dhe më thuaj që nuk je i dënuar për këtë çështje.
Sepse ty në atë parti të futi Luli dhe kjo shifra 500 që thua për shtëpinë time, tre herë më të vogël, ty të ka ngelur nga Luli. O Agron, ma ka thënë Luli, ‘Agron Shehajn e futa në listë për deputet se më dha 500 mijë euro Dhe ti ke ardhur në politikë duke blerë mandatin.

