Aeroporti i Tiranës kryeson rajonin, Rama: Rreth 6 milionë pasagjerë në gjashtëmujorin e parë kur turizmi akoma ishte dimëror

Aeroporti i Tiranës kryeson rajonin, Rama: Rreth 6 milionë pasagjerë në gjashtëmujorin e parë kur turizmi akoma ishte dimëror

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të shënojë rezultate të larta në trafikun ajror, duke kryesuar aeroportet e rajonit për numrin e pasagjerëve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale të dhënat, sipas të cilave rreth 6 milionë pasagjerë kanë kaluar nëpër Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Shifra përfaqëson një rritje prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Rritja e ndjeshme e numrit të udhëtarëve konfirmon trendin pozitiv të trafikut ajror në Shqipëri dhe rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Tiranës si një pikë kryesore lidhëse për udhëtarët në rajon.

Performanca e aeroportit lidhet edhe me rritjen e flukseve turistike drejt Shqipërisë, zgjerimin e destinacioneve ajrore dhe shtimin e numrit të udhëtarëve që zgjedhin Tiranën si destinacion apo si pikë tranziti.

Shifrat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 e pozicionojnë kështu Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës në një nga nivelet më të larta të aktivitetit në historinë e tij, duke e forcuar më tej pozicionin e Shqipërisë në hartën rajonale të transportit ajror.