Duam vendin e parë në grup! Manaj e Ismajli: Vuajtëm vetëm minutat e para! Rikthimi pas 2 vitesh, Berisha: Emocion si herën e parë

Duam vendin e parë në grup! Manaj e Ismajli: Vuajtëm vetëm minutat e para! Rikthimi pas 2 vitesh, Berisha: Emocion si herën e parë

Tre pikët kundër Bjellorusisë, falë fitores 2-0 në Air Albania, e rendisin në krye të grupit bashkë me Finlandën Shqipërinë në Ligën e Kombeve. Megjithatë pas 6 ndeshjeve vendi i parë do të ketë rëndësi të madhe, pasi jo vetëm që të ngjit në Ligën B, por edhe të jep mundësi për t’u kualifikuar në evropian. Për futbollistët e kombëtares ky objektiv qëndron në mendje edhe pas suksesit në ndeshjen hapëse kundër Bjellorusisë.

“Filluam shumë mirë. Duam të shkojmë të parët në grup. Ishte një fitore shumë e rëndësishme përballë tifozëve tanë. Duhet patjetër që t’i fitojmë edhe 2-3 ndeshje të tjera që të shkojmë të parët në grup,”-u shpreh Ernest Muçi, futbollist i Kombëtares.

“Vetëm 5 minutat e para patëm një bllokim, por është normale. Trajneri e kishtë përgatitur shumë mirë ndeshjen. Shyqyr që morëm fitoren. Tani kemi 3 ndeshje të tjera dhe ishalla marrim 12 pikë,”-tha Rey Manaj, futbollist i Kombëtares.

“Në fillim patëm pak vështirësi sepse nuk e pritëm Bjellorusinë të bëntë këtë presion. E prisnim të qëndronte më pas në mbrojtje. Megjithatë kaluam në presing. Morëm ndeshjen në kontroll dhe fituam me shumë meritë. Rezultati mund të ishte më i thellë, por rëndësi ka që morëm 3 pikë dhe e nisëm me këmbën e mbarë,”-deklaroi Ardian Ismajli, futbollist i Kombëtares.

Në minutat e para në Air Albania Bjellorusia rrezikoi jo pak, por për të mbajtur të sigurtë portën e Shqipërisë mendoi Etrit Berisha, i cili u rikthye me kuqezinjtë pas 2 vitesh.

“Ishte emocionuese. Sidomos fillimi kur hyra në stadium sepse më dukej si herën e parë. Falenderoj të gjithë. Së pari stafin, të gjithë lojtarët dhe tifozët të cilët më përkrahën sapo zbrita në fushë dhe më bënë të ndihem shumë mirë,”-tha Etrit Berisha, portier i Kombëtares.

Etrit Berisha mungoi në kombëtare për shkak të krisjes që pati me Sylvinho-n që pas Evropianit 2024 në Gjermani, ndërsa mori vendin e titullarit edhe për shkak të Strakoshës, i cili nuk është me kuqezinjtë për shkak dëmtimi.