Pagat e magjistratëve nuk janë më një debat për pavarësinë e drejtësisë. Ato janë tashmë një debat për diskriminimin social që po prodhon vetë shteti.
Një shef komisariati paguhet rreth 90 mijë lekë në muaj. Një prokuror apo gjyqtar, me sistemin që ia ka vendosur vetes, paguhet 900 mijë lekë në muaj e më shumë.
Dhjetëfish diferencë!
Absurd i ulur këmbëkryq!
Shefi i komisariatit është në gatishmëri njëzet e katër orë, shtatë ditë në javë. Nuk e pyet askush nëse është e diel, natë apo festë. Ai del në aksidente, vrasje, protesta, konflikte, operacione policore. Rreziku është pjesë e përditshmërisë së tij. Një vendim i gabuar mund t’i kushtojë jetën.
Po prokurori?
E fillon punën në orën tetë. Në orën nëntë ka pirë kafen e parë. Në drekë është në restorant. Në gjyqe vjen zakonisht i papërgatitur. Në katër pasdite ka mbyllur zyrën. Natyrisht, puna e tij ka përgjegjësi të mëdha juridike, por rreziku fizik krahasuar me policin është pothuajse zero.
Megjithatë, ai paguhet dhjetë herë më shumë.
Kjo nuk është më diferencë page. Kjo është shpallje kastash.
Ironia është edhe më e madhe, kur mendon se pa punën e policit nuk ekziston dosja e prokurorit. Është polici që mbledh provat, ndjek autorët, arreston, ekspozohet në terren. Prokurori ndërton akuzën mbi punën e policisë. Por në fund polici mbetet çiraku, ndërsa prokurori bëhet mbreti.
Kur diferenca bëhet dhjetëfish, nuk ndryshon vetëm paga, as vetëm hierarkia. Ndryshon edhe ngjyra e gjakut. Polici ka gjak të kuq. Magjistrati ka fituar gjak blu.
Po mësuesi?
Mësuesi, që edukon brezat, merr rreth 75 mijë lekë në muaj. Gjykatësi merr të paktën 900 mijë. Mbi dhjetë herë më shumë.
Me një vendim pagash, Republika e KLGJ-së ka shpallur se ai që dënon njeriun vlen dhjetë herë më shumë se ai që edukon njeriun.
Pastaj habitemi pse zbrazen shkollat dhe mbushen burgjet.
Shoqëria paguan më shumë xhelatin sesa edukuesin.
Ky është mesazhi që japin edhe këto paga.
Të kuptohemi, pagat e mirë janë garanci e pavarësisë së drejtësisë. Askush nuk e mohon që gjyqtari dhe prokurori duhet të paguhen mirë. Por pavarësia nuk është privilegj. Nuk është titull fisnikërie. Nuk është licencë për të ndërtuar një aristokraci financiare brenda administratës publike. Nuk është dekret dallimi social.
Pavarësi do të thotë të jesh i lirë nga ndikimi politik, por nuk do të thotë të jesh i pavarur nga shteti që të paguan.
Sot magjistratët praktikisht i kanë thënë Republikës: ne jemi shtresa më e lartë e saj. Mbi policin. Mbi mësuesin. Mbi mjekun. Mbi ushtarakun. Madje edhe mbi deputetin. Mbi kryetarin e shtetit po e po, po Ai se ka mendjen këtu…
Deputeti, që voton ligjet që gjyqtari dhe prokurori janë të detyruar t’i zbatojnë, paguhet rreth 300 mijë lekë në muaj. Gati trefish më pak.
Pra, jo vetëm mbi administratën. Magjistratët kanë ngritur veten edhe mbi pushtetin ligjvënës.
Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Kjo është hierarki shoqërore e vetëshpallur.
Dhe këtu fillon problemi kushtetues e politik.
Pagat nuk mund të ndërtohen sipas logjikës së kastave. Nuk mund të jetë secili pushtet që i cakton vetes vendin në majë të piramidës. Përndryshe, nesër çdo institucion do të shpallë veten më të rëndësishmin e Republikës.
Parlamenti ka detyrimin të rivendosë logjikën e shtetit. Të ndërtojë një sistem të integruar pagash, ku përgjegjësia, ngarkesa, rreziku dhe rëndësia publike të peshohen me të njëjtën masë për të gjithë. Jo një sistem ku secili pushtet i vendos vetes kurorën dhe pastaj i kërkon qytetarëve ta quajnë këtë “pavarësi”.
Sepse nuk ka pavarësi nga shteti.
Ka vetëm pavarësi brenda shtetit.
Dhe në një republikë, gjaku i askujt nuk mund të jetë blu.

