Pesë fëlliqësira ambasadash! Meta harron mbrojtjen hidhet në sulm: Flet për komplot kundër tij nga Yuri Kim dhe McGonigal! Lobimin e LSI në SHBA e bëri Monika

Pesë fëlliqësira ambasadash! Meta harron mbrojtjen hidhet në sulm: Flet për komplot kundër tij nga Yuri Kim dhe McGonigal! Lobimin e LSI në SHBA e bëri Monika

Ilir Meta harron mbrojtjen dhe fillon sulmin. Ai i është rikthyer akuzave të forta ndaj SPAK për prova të sajuara, madje flet edhe për një komplot ndërkombëtar ndaj tij. Ish presidenti rikujton luftën që sipas tij i është bërë nga Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ndërsa ka akuzuar edhe 5 ambasadorë që sipas tij e kanë kërcënuar gjatë kohës kur ishte President i Republikës, lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, deklaroi Meta.

“Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, tha Meta.

Edhe në këtë seancë të radhës në GJKKO, u vu re e njëjta strategji e ish çiftit të bashkëshortëve Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, për t’ia kaluar të gjithë përgjegjësinë kësaj të fundit, sidomos për çështjen e lobimit në SHBA.

Meta deklaroi se është i gatshëm të udhëtojë me shpenzimet e tij drejt SHBA dhe të përballet me drejtësinë amerikane, nëse provohet qoftë edhe një shkelje e vetme. Ai pretendoi se veprimet në këtë çështje janë kryer përmes Monika Kryemadhit dhe se kontrata është e detajuar e plotësisht e verifikueshme.

Së njëjtës linjë i qëndroi edhe Kryemadhi, e cila për mediat deklaroi se kishte negociuar vetë me kompaninë amerikane GSIS dhe se Meta nuk kishte dijeni për veprimet e tyre.

“Unë iki që sot me shpenzimet e mia në SHBA, nëse ata kanë gjë me mua. Në SHBA edhe Maduron e arrestuan me mandat arresti. Ka të bëjë seriozisht me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Çdo veprim e kam bërë përmes zonjës (Monika Kryemadhit). Kontrata është aq e specifikuar, çdo gjë është e verifikueshme”, tha Meta.

Kryemadhi tha se kontrata ishte negociuar prej saj në cilësinë e sekretares organizative të LSI-së dhe tregoi se kush e firmosi marrëveshjen dhe kush pagoi tri faturat e partisë.

“Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me këtë kompani janë bërë prej meje. Ndërkohë, pagesat e tri faturave të LSI-së janë bërë nga sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, Ilir Meta, për hir të së vërtetës, ka zero komunikim dhe zero dijeni se çfarë kemi bërë ne”, tha Kryemadhi jashtë senacës.

Vetë Kryemadhi ka përfunduar kundërshtimet e saj për episodin e fundit të lobimit, duke kundërshtuar lidhjen që SPAK i bën pagesave të kompanisë Unifi ndaj kompanisë amerikane GSIS me aktivitetin e LSI. Kryemadhi ka kërkuar që përmes letërporosive të merret informacion nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për deklarimet e GSIS në regjistrin FARA, si dhe që Bank of America të paraqesë faturat origjinale që pretendohet se janë paguar nga kompania Unifi. Po ashtu, kërkoi të dëshmojë edhe përfaqësuesi i GSIS-it, Dennis Burke, duke thënë se kontrata lidhej me përpjekjet për të arritur konsensus për reformën në drejtësi.

“Kur sheh pasqyrën bankare që ka ardhur me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se fatura që organi i akuzës, pra SPAK-u, pretendon se është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me faturën që kompania Unifi i ka paguar GSIS-it. Është një faturë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me numër 12-shifror, ndërsa faturat e LSI-së kanë numra katërshifrorë”, tha Kryemadhi.

Edhe Ilir Meta kërkon provat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai depozitoi përmes avokatit të tij Bujar Musta një sërë kërkesash procedurale, duke kundërshtuar komunikimet telefonike dhe mesazhet që SPAK ka përdorur në funksion të akuzave, duke vënë në pikëpyetje autorësinë dhe autenticitetin e tyre.

Gjithashtu ish presidenti kërkoi verifikimin e këtyre komunikimeve dhe shqyrtimin e ligjshmërisë së mënyrës se si janë siguruar e administruar në dosje.

Seanca e radhës është caktuar më 26 nëntor ku pritet qe SPAK të bëjë kundërshtimet ne lidhje me kërkesat e të pandehurve, dhe më pas do të jetë gjykata ajo që do të vendos.