Edhe pse kryeministri foli për urtësi dhe durim në trajtimin e mosdakordësive, magjistratët mendojnë ndryshe. Përmes një deklarate, 4 shoqata gjyqtarësh dhe prokurorësh paralajmërojnë vijim të betejës me ekzekutivin sërish në Gjykatë Kushtetuese. Miratimi i ndryshimeve ligjore sipas tyre u shoqërua me shkelje të rënda kushtetuese.
“Shoqatat tona mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre për rivendosjen e të drejtave kushtetuese të magjistratëve, të cilat janë cenuar haptazi nga ligji i miratuar në orët e mesnatës. Në këtë kuadër, informojmë opinionin publik se, me të njëjtën urgjencë me të cilën ky projektligj u shqyrtua, u miratua dhe u dekretua, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe shqyrtimin e çështjes me përparësi”, thuhet në deklaratë.
Magjistratët thonë se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare por me pavarësinë e sistemit. Me miratimin e ligjit në Kuvend rritja 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

