Ligj i ri për piramidën e pagave: Rama pas dekretimit nga Presidenti fton magjistratët në tryezë… nuk duam konflikt!

Ashtu siç kishin paralajmëruar socialistët nuk u tërhoqën dhe miratuan me 84 vota pro formulën e re të pagave të magjistratëve. Me miratimin e Presidentit të Republikës, i cili vetëm pak orë më pas firmosi me urgjencë dekretin, ligji hyri në fuqi menjëherë duke bërë që në gjykatat dhe prokuroritë e vendit nga kjo e premte të shpërndahen pagat me llogaritjen e re.

Formula, e miratuar pas mesnate me 81 vota socialistësh dhe 3 të PSD-së, përcakton se paga referuese e magjistratëve të jetë sa 38% e pagës së Presidenti të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh.,

Vetëm pak orë pas votimit në Kuvendit, Kryeministri Rama ftoi publikisht përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor të kontribuojnë për një ligj të ri që sipas tij do të japë një zgjidhje qëndrueshme afatgjatë e do të garantojë ekuilibrin e përhershëm të piramidës shtetërore të pagave.

“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave. Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë”, shkroi Rama.

Tryeza, e cila sipas Kryeministrit duhet të mblidhet pa humbur kohë, do të ketë pjesëmarrjen e Këshillit të Evropës.

“Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë. E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”, shkruan Rama.