Kur pushteti politik dorëhiqet pa kushte ndaj atij gjyqësor

Kur pushteti politik dorëhiqet pa kushte ndaj atij gjyqësor

Nga Plarent Ndreca

Kushtetutat moderne janë ndërtuar mbi një mosbesim të mençur që përshkon logjikën e Montesquieu-së. Pushteti duhet të ndalojë pushtetin. Asnjë pushtet nuk duhet të bëhet aq i fortë sa të mos kufizohet nga një tjetër.

Ajo që po shohim sot në konfliktin mes gjyqësorit dhe ekzekutivit nuk është episodi i parë, por një shfaqje periodike e një korporatizmi gjyqësor që, më shumë sesa krizë e drejtësisë, dëshmon një krizë të pushtetit politik. Është dështimi i institucioneve politike për të përmbushur detyrën kushtetuese të ruajtjes së ekuilibrit ndërmjet pushteteve. Është dështim i Kuvendit, i mazhorancës dhe opozitës bashkë, sepse kur diskutohen themelet e shtetit, politika e ditës duhet të pushojë.

Sigurisht, peshën më të madhe e ka mazhoranca ku edhe unë bëj pjesë. Mazhoranca nuk ka vetëm të drejtën të qeverisë; ka detyrimin të mbrojë rendin kushtetues, të ushtrojë pushtetin që i është besuar e të mos krijojë vakum kushtetues.

Ky vakum gradualisht ka filluar të mbushet nga sistemi ynë i drejtësisë. Nga një pushtet që duhej të ishte i pavarur nga politika, po shndërrohet në një pushtet që pretendon pavarësi nga çdo kontroll dhe kundërpeshë, madje edhe nga vetë Kushtetuta.

Sot kemi arritur në pikën kur instrumentet që Republika i ka dhënë drejtësisë për t’u shërbyer qytetarëve — padi, masa sigurimi, kallëzime dhe procedime penale — përdoren në mënyrë të koordinuar, institucionale dhe të shoqëruara me presion publik e mediatik, për një konflikt që lidhet drejtpërdrejt me interesat ekonomike private të pjesëtarëve të këtij pushteti. Kur një pushtet, për t’i imponuar interesin e anëtarëve të tij një pushteti tjetër, përdor forcën që Republika i ka dhënë për t’u shërbyer qytetarëve, kemi hyrë në territorin e një “vetëgjyqësie” institucionale që godet me “grusht” vetë rendin kushtetues.

Po pse kemi mbërritur këtu? Sepse pushteti politik, nga frika, interesi, konjunktura, dobësia apo paaftësia, e ka lejuar këtë, duke rrezikuar dorëzimin e pushtetit që qytetarët i kanë besuar me votë dhe me Kushtetutë. Ky dorëzim dobëson qytetarin dhe vetë demokracinë, duke rrezikuar ta përmbysë Republikën parlamentare në një Republikë gjyqësore.

E kam thënë edhe më parë: qeverisja votohet rregullisht, por gjithnjë e më shumë vendi po qeveriset nga gjyqësori. Pushteti politik është vënë nën frikën e pushtetit gjyqësor dhe nuk përdor instrumentet kushtetuese për të mbrojtur kompetencat që qytetarët i kanë besuar.

Ky nuk është thjesht një abdikim i pushtetit politik ndaj gjyqësorit, por i vetë votës — si fuqia e qytetarëve për të vendosur se kush e drejton këtë vend.