Nga Anri Bala
“Bulevardi” pretendon se janë 300 mijë veta pjesëmarrës në shesh, edhe pse jo të gjithë kanë qenë njëherësh në protestë. Numrat fiks nuk ua them dot, por padyshim që “Revolucioni i Flamingove” ka marrë një përkrahje të gjerë në popullatë.
Tani, ta mendojmë për një moment se 1 nga 2 prej 300 mijë mbështetësve të Flamingove ka qenë i sinqertë, a duhet minimalisht që në zgjedhjet e ardhshme vendore, Partia Socialiste duhet të ketë 150 mijë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të 2025, ose në ato vendore të 2023.
Flasim për skenarin më të mundshëm, mbajtjen e zgjedhjeve vendore në maj 2027, nëse bashkë me to nuk zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare, për të minimizuar kostot dhe nëse ndodh një dorëheqje hipotetike e Ramës, duke iu përgjigjur thirrjeve për largim të “bulevardit”.
Nëse nga protesta nuk krijohet një grupim i ri politik deri atëherë, gjë që ka pak gjasa të ndodh, sipas edhe pohimeve nga disa prej organizatorëve, duhet që të paktën partitë opozitare që janë aktive në protestë ta përthithin këtë numër të shpërndarë kush më shumë e kush më pak.
Nëse kjo nuk ndodh, pra as Rama nuk bie në vota, por as Berisha, që bulevardi e kërkon bashkë me kryeministrin në burg, atëherë kush na ka gënjyer? Po hëngrën vota vetëm nga PD, atëherë i bie bulevardi ka qenë “Berisha në burg”.
Me votat në kuti nuk ka justifikime, sepse Rama nuk i manipulon dot 150 mijë vota as me komisionerë, aq më pak t’i blejë e të ruaj rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Akoma më keq nëse artikulohet ideja se zgjedhjet janë blerë, sepse nëse ka një grupim që duhet të turpërohet, që ka shitur apo ka bërë pazar me votën, është pikërisht ai i rezistencës së “bulevardit”.
Zgjedhjet lokale janë më pak se 10 muaj larg, kështu që “bulevardistët”, nëse nuk duan të turpërohen apo ta çojnë mundin dëm, bëjnë mirë të kenë një projekt për zgjedhjet e radhës, ku edhe përzgjedhja e kandidatit si kryebashkiak të Tiranës, tashmë s’do të jetë më monopol i partive opozitare, por i grupimeve të protestës, gjë që do ta bëjë edhe më të vështirë dakordësinë për një kandidat gjithëpërfshirës që kënaq të madh e të vogël, sigurisht larg kandidatit që do të propozoi partia “Berisha në burg”.
Ama, nëse protesta nuk arrin të krijojë një grupim të ri politik që t’i përfaqësojë, sido që të vejë, zgjedhjet do të jenë zgjidhje… për Ramën apo bulevardin, kjo mbetet për t’u parë! Ndaj protesta nuk duhet të mbush vetëm sheshe por edhe kutitë!/Ekskluzive.al

