Muhamed Halili: Ju rrëfej “aferën e armëve” me Shqipërinë: Si Berisha shkatërroi PPD-në përmes skemave të shërbimit maqedonas

Muhamed Halili: Ju rrëfej “aferën e armëve” me Shqipërinë: Si Berisha shkatërroi PPD-në përmes skemave të shërbimit maqedonas

Muhamed Halili

Sipas rrëfimit të Muhamed Halilit, “afera e armëve” nisi nga frika e drejtuesve të PPD-së se shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat në Slloveni e Kroaci mund të përhapeshin edhe në Maqedoni. Në këtë klimë, në shtator 1991, drejtuesit e PPD-së vendosën të krijonin një rrjet të fshehtë vetëmbrojtjeje në vendbanimet shqiptare, me argumentin se duhej të ishin të përgatitur për një ndërhyrje të mundshme të JNA-së. Nevzat Halili mori fillimisht drejtimin e organizimit, por drejtuesit e tjerë të PPD-së e detyruan të tërhiqej nga funksioni ushtarak, nga frika se përfshirja e drejtpërdrejtë e kryetarit të partisë mund të sillte ndalimin e PPD-së. Drejtimin më pas, sipas dëshmisë, e mori sekretari i përgjithshëm Mithat Emini.

Halili e vendos këtë organizim në një mjedis ku, sipas tij, edhe qarqe maqedonase po armatoseshin për t’u mbrojtur nga JNA-ja. Ai pretendon madje se ekzistonte një mirëkuptim joformal ndërmjet njerëzve të PPD-së dhe qarqeve të VMRO-DPMNE-së për nevojën e formacioneve të tilla. Problemi, sipas rrëfimit, ishte se pas krijimit të ushtrisë së Maqedonisë strukturat shqiptare nuk u shpërbënë plotësisht. Në maj 1993, ministri i Jashtëm maqedonas Stevo Cërvenkovski ia paraqiti çështjen ministrit shqiptar Alfred Serreqi si provë të ndërhyrjes së Shqipërisë në Maqedoni, ndërsa në nëntor 1993 policia maqedonase goditi strukturën e quajtur nga hetuesit “Batalioni 777”, duke arrestuar Selam Elmazin, Hysen Haskajn, Shenasi Rexhepin, Burim Murtezanin, Refet Elmazin dhe të tjerë.

Pjesa politikisht më e fortë e dëshmisë është ajo që vjen pas arrestimeve. PPD-ja kërkoi lirimin dhe më pas abolimin e të arrestuarve dhe kërcënoi edhe me largimin nga qeveria. Pikërisht në këtë moment shfaqet përplasja me Tiranën. Sipas Halilit, ambasadori i sapoemëruar Shaban Murati u kërkoi deputetëve të PPD-së të distancoheshin nga organizimi, duke e interpretuar atë si një operacion të lidhur me Millosheviqin për destabilizimin e Maqedonisë dhe diskreditimin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Halili, përkundrazi, këmbëngul se organizimi kishte lindur si strukturë vetëmbrojtjeje kundër një agresioni të mundshëm të JNA-së.

EKSKLUZIVE/ MUHAMED HALILI: Ju rrëfej “aferën e

Arbër Xhaferi dhe Menduh Thaci të mbështetur nga PD në Tiranë. Viztat e emisarëve të PD në Tetovë për të ndihmuar XHaferin. Montimi I aferës së armëve dhe ndërhyrja brutale e Tiranës zyrtare që shkatërroi gjithcka. Ibrahim Rugova qëndroi larg përcarjes dhe tentoi të mbroj vijën zyrtare të PPD

Rrëfimi autentik

Në ditët që Maqedonia feston 35-vjetorin e pavarësimit të saj, është e frytshme të përkujtojmë edhe ngjarjet e rrugëtimit të vendit drejt pavarësimit, si dhe sfidat me të cilat u ndesh lëvizja e parë politike në vend, si dhe ambiciet që ushqenin në atë kohë liderë shqiptarë (Berisha dhe Nano) për ta promovuar veten si “mbrojtës” të interesave mbarëkombëtare shqiptare, gjë që solli dobësimin e forcës politike të shqiptarëve në përgjithësi në vendet ku ata vepronin politikisht, me theks të posaçëm në Kosovë (Nano-Millosheviq në Kretë) dhe Maqedoni (PD dhe Berisha).

Një veprim që në vitin 1991 e mori kryesia e Partisë për Prosperitet Demokratik për organizimin e njësive vetëmbrojtëse në vendbanimet shqiptare në Maqedoni, fill para shkatërrimit të Jugosllavisë dhe nisjes së agresionit serb në Slloveni dhe Kroaci, e pagëzuar si “Afera e armëve” nga ana e policisë maqedonase, la pasoja të rënda në funksionimin e lëvizjes politike shqiptare në Maqedoni, si dhe në tërë organizimin politik shqiptar pas kësaj kohe.

Një veprimtari përgatitëse për t’iu kundërvënë aksionit të mundshëm ushtarak të forcave të JNA-së në Maqedoni (kryekomandant i së cilave ishte gjakatari Millosheviq), posaçërisht në vendbanimet shqiptare, mbaroi me burgosjen e pjesëtarëve të forcave paraushtarake shqiptare dhe dorëheqjen kolektive të kryesisë së PPD-së, që vazhdoi më pas me situata të turbullta në skenën politike shqiptare për një kohë të gjatë në Maqedoni, duke vazhduar deri në ditët e sotme.

Edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë e ekzistimit të këtyre forcave, këto veprime të forcave paraushtarake shqiptare establishmenti politik maqedonas i bëri publike më 25 maj 1993, në vigjilje të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në Romë, ku ministri i Jashtëm maqedonas Stevo Crvenkovski, në praninë e ministrit të Jashtëm turk Ismail Çetin, me një grumbull dokumentacioni të incizuar të aktiviteteve të këtyre forcave, e akuzoi ministrin e Jashtëm shqiptar Alfred Serreqi se Shqipëria po e destabilizon Maqedoninë.

Natyrisht se ky veprim pati efekte pozitive në politikën e jashtme të Maqedonisë, sepse pas këtyre ngjarjeve u bë pranimi i vendit në OSBE, që PPD-ja e kundërshtonte pa plotësimin e kërkesave shqiptare, njohja e pavarësisë së vendit nga ana e Shqipërisë, gjë që e dëmtoi tepër rëndë lëvizjen tonë politike.

Barra e gjithë këtyre aktiviteteve ra në shpinën e PPD-së, e cila këtë e pagoi me zhdukjen e saj nga skena politike në vend.

Për fat të keq të shqiptarëve në Maqedoni, shkatërrimi i PPD-së sot e kësaj dite solli trauma të papara në organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe, si pasojë e kësaj, vendin e PPD-së nuk e zunë forca të idealit kombëtar dhe dijes politike, por forca që synuan dhe synojnë që politikën ta shndërrojnë në burim të pashtershëm të pasurimit vetjak, në përkrahës të krimit dhe korrupsionit.

Fillimet e shpërbërjes së Jugosllavisë: agresioni serb ndaj Sllovenisë dhe Kroacisë

Në fillim të vitit 1991, ushtria jugosllave JNA udhëhiqej dhe ishte nën ndikimin e eprorëve ushtarakë serbë dhe filloi mobilizimin e forcave ushtarake në Maqedoni për të luftuar kundër pavarësimit të Sllovenisë dhe Kroacisë.

Më 6 maj 1991, në kazermën e Splitit, gjatë një proteste të 30 mijë qytetarëve kundër keqpërdorimit të JNA-së në luftën kundër pavarësimit të Kroacisë, u vra ushtari nga Kavadari Sashko Geshovski.

Me të marrë lajmin, udhëheqja e PPD-së të nesërmen thirri një kuvend qendror në fshatin Pirok të Tetovës dhe vendosi që aktivistë të saj të bënin aktivitete derë më derë dhe t’u jepnin instruksione të rinjve shqiptarë t’i iknin mobilizimit për ushtrinë jugosllave. Maqedonasit filluan të mobilizoheshin dhe armatoseshin gati legalisht me arsenalin që e kishte mbrojtja territoriale dhe armë që flitej se vinin nga jashtë.

Kështu, në defilim në Manastir u paraqit aradha e Cërnomarovit, një ish-kryeshef në njësinë rajonale të Punëve të Brendshme në Manastir, ndërsa një deputet nacionalist maqedonas dhe nënkryetar i VMRO-DPMNE-së, Vladimir Gollubovski, deklaroi se kishte në dispozicion rreth 20 mijë të rinj që do të luftonin në raste të posaçme kundër JNA-së së Kadijeviqit.

Nisur nga përvoja e keqe e konfliktit serbo-kroat, ne i frikësoheshim mundësisë edhe të prishjes së marrëdhënieve jo të mira ndëretnike dhe marrjes së një kahjeje jo të pëlqyeshme të një konflikti të mundshëm ndëretnik në Maqedoni.

Në portalin “Civil”, duke rrëfyer për projektin “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e kontrollit të armatimit në Maqedoninë e Veriut”, më 12 janar 2022, profesori universitar dhe eksperti për siguri, Prof. dr. Ivan Babanovski, deklaron: “Askush nuk e di se ku mbaroi armatimi që Arkan ia dha (Jordan) Mijalkovit. Ndoshta mbaroi nën Pelister, nën kontrollin e Cërnomarovit”, ka deklaruar ai.

E dyta, rreth kësaj teme, në një emision në YouTube, i intervistuar nga gazetari Ivanov, profesori Babanovski deklaron se “më 6 nëntor 1991 në Shkup erdhi Zhelko Razhnatoviq-Arkan (udhëheqës i formacionit paraushtarak ‘Garda vullnetare serbe’) dhe solli dy kamionë me armë. Ai ishte mysafir i ministrit të Brendshëm Jordan Mijalkov, unë atë kohë isha këshilltar i tij”, deklaron profesori. “Atë periudhë kohore nuk isha në shoqërinë e tij, por rrija me ata në hotelin Holiday Inn, hotel Grandin e atëhershëm”, përfundon ai.

Pyetjes ku sot është ai armatim, pas gjithë atyre ditëve, ai i përgjigjet se Arkani e solli armatimin, ishte mysafir i Dane-s (Tanevski), drejtor i Makedonijaturistit, i cili më vonë e mori Holiday Inn-in.

Profesori Babanovski vazhdon rrëfimin duke thënë se “Mijalkov, Done, Gjorgji Naumov (ministri i Drejtësisë) dhe Rade Perishiq, i cili ishte në lidhje martesore me motrën e Jellcinit (presidenti i mëparshëm rus Boris Jellcin), dhe ai bashkë me Arkanin e solli armatimin këtu. Ai armatim mbaroi këtu në Pelister, nën kontrollin e Crnomarovit, dhe deri sot për këtë askush nuk dha përgjigje çka ndodhi”, rrëfen ai.

Të gjendur në një situatë të tillë ku lloj-lloj grupesh maqedonasish armatoseshin dhe të rinjtë e të gjitha republikave filluan të mobilizoheshin për të bërë luftë për interesa të huaja, ne, kryesia e ngushtë e PPD-së, ishim të bindur se ishte vështirë t’i iknim luftës, pasi gjithë republikat e Jugosllavisë ndizeshin flakë dhe JNA bënte kërdi në Bosnjë dhe Kroaci. Filluam të bënim përgatitje për të gjetur burime, për ta armatosur popullatën dhe për të krijuar fond për këtë.

Fillimet e organizimit të forcave të armatosura

EKSKLUZIVE/ MUHAMED HALILI: Ju rrëfej “aferën e

Diku në shtator të vitit 1991, Nevzat Halili, kryetar i PPD-së, pas konsultimeve që i kishte bërë më gjerë me Rugovën, e thirri Kuvendin Qendror të partisë në sallën e Kuvendit Komunal në Tetovë. Me të arritur aty, ai na tha se për shkaqe sigurie do të shkonim diku tjetër, duke mos e treguar vendin. Ne vetëm e ndoqëm rrugën e tij. Pas diku gjysmë ore, ne arritëm në qendrën e fshatit Forinë të Gostivarit dhe aty, në një shtëpi, kryetari na informoi se do të krijonim forcat e armatosura, të cilat do ta mbronin popullatën e paarmatosur nga agresioni i mundshëm i ushtrisë jugosllave.

Ky nuk ishte një veprim aventuresk, por përditshmëri e republikave jugosllave, ku secili filloi të mbronte territoret e veta etnike me rojet e natës, si mbrojtje nga masakrat e mundshme të armatës jugosllave.

Gjatë një debati të shkurtër, atij ia bëmë me dije se një gjë e tillë donte konspiracion. Për këtë, Kuvendi e angazhoi Nevzat Halilin të krijonte një rrjet të besueshëm njerëzish dhe këtë të mos e dinin shumë persona.

Më vonë ai e kishte bërë këtë dhe vetë ishte shpallur komandant i batalionit. Me të dëgjuar për këtë lajm, ne, udhëheqja e ngushtë, i bëmë presion të drejtpërdrejtë që të tërhiqej, sepse mendonim se kryetari i partisë nuk duhej të ishte njëherazi komandant batalioni, sepse ajo do të ishte dëm për partinë dhe mund të ndodhte të ngrihej procedurë gjyqësore kundër PPD-së dhe të mbyllej ajo si parti politike.

Më vonë mësuam se Nevzati ishte tërhequr dhe vendin e tij e kishte zënë Mithat Emini, sekretar i përgjithshëm i PPD-së.

Rreziku i shpërthimit të një lufte në Maqedoni dhe Kosovë ishte shumë real, sepse fill pas nisjes së luftës në Kroaci, udhëheqësi kroat Dr. Franjo Tugjman, duke u dhënë privilegje një ish-komunisti, funksionar i lartë kosovar në Federatë dhe Krahinë, Mahmut Bakalli, dhe kryetarit të Lidhjes së Shqiptarëve në Kroaci, Tomë Berisha, në një mbledhje të mbajtur në Stubiçke Toplice, afër Zagrebit, më 19-20 janar 1991, kishin arritur të mbanin një “tubim gjithëkombëtar shqiptar” për shpërthimin e “Frontit të Jugut”.

Këtë opsion luftarak, siç shkruan Hivzi Islami, atëherë kryetar i Partisë Fshatare të Kosovës, e kishin përgatitur mirë kundërshtarët e Dr. Rugovës. “Duket që regjimi i Franjo Tugjmanit, bashkë me T. Berishën, ishin përkujdesur mirë, sepse shpresonin se do ta pranonim kërkesën për hapjen e «Frontit të Jugut»”, shkruan ai (Islami, INA Online, 24.11.2019).

Megjithatë, Rugova, i cili fuqimisht kundërshtonte angazhimin e Bakallit, Tomë Berishës dhe Hisen Ramadanit (komunistë të regjur jugosllavë në shërbim të Tugjmanit), ishte i bindur se Kosova nuk do të shpëtonte pa luftë, sepse rezistencës gandiane një ditë do t’i vinte fundi. Në rast të një lufte të tillë, krejt ishte e qartë se edhe shqiptarët e Maqedonisë do të përfshiheshin.

Andaj lindi edhe nevoja për krijimin e forcave paraushtarake shqiptare, sepse Maqedonia atëherë nuk e kishte ushtrinë e saj, gjë që solli që edhe maqedonasit të kishin frikë nga agresioni i JNA-së. Ekzistojnë fakte të pashkruara, por gojore, të një marrëveshjeje xhentëlmene mes PPD-së dhe VMRO-DPMNE-së për nevojën e krijimit të formacioneve të tilla paraushtarake për rezistencë ndaj një agresioni të mundshëm nga ana e JNA-së.

Kjo gjë ishte vështirë e arritshme të bëhej një kontratë me shkrim me kreun shtetëror, sepse udhëheqësit politikë maqedonas me orientim proserb, siç ishte edhe Gligorov, nuk na besonin neve dhe ne, në lidhje me këtë mundësi, as që kemi biseduar me të. Aq më tepër, kur këtë e dëshmon edhe Andov në librin e tij “Në mënyrën time”, se Millosheviq kishte bërë angazhime konkrete që, me fillimin e pluralizmit në Maqedoni, ta instalonte Gligorovin si kryetar shteti në vend të Goshevit.

Unë kisha marrëdhënie të mira me ministrin e Brendshëm Jordan Mijalkov dhe ministrin e Drejtësisë Naumov dhe shpesh kemi biseduar të vazhdohej tradita e bashkëpunimit të VMRO-së me shqiptarët kundër hegjemonizmit serb, si në kohërat e Hasan Prishtinës. Ministrat vmroistë angazhoheshin me mish e me shpirt t’i iknin ndikimit serb në popullatën maqedonase dhe ndiheshin më afër me kulturën bullgare, gjë që më vonë Qeveria Georgievski filloi ta promovonte.

Situata ndryshoi pas afro dy vitesh. Me formimin e ushtrisë së Maqedonisë, këto forca nuk u shpërbënë, edhe pse Mithati (Emini) më thoshte se i kishte informuar udhëheqësit e pjesëtarëve të këtyre forcave t’i ndërprisnin aktivitetet e tyre.

Pas vetos së Shqipërisë ndaj pranimit të Maqedonisë në KSBE (ku PPD-ja më dërgoi si përfaqësues në delegacionin e Shqipërisë), në maj të vitit 1993, ministri i Jashtëm maqedonas Stevo Cërvenkovski, në Romë, në prani të ministrit të Jashtëm turk Ismet Çetin, e informon ministrin e Jashtëm shqiptar Alfred Serreqi për aktivitetet për armatim të Aradhës ushtarake të shqiptarëve në Maqedoni, që organet hetuese e kishin pagëzuar si “Batalioni 777”, duke e akuzuar se Shqipëria tenton ta destabilizojë Maqedoninë dhe kërkon nga ajo mbështetje për anëtarësim në KSBE, tash OSBE.

Më 3, 4, 5, 6 nëntor të vitit 1993, policia e Maqedonisë, në një aksion të sinkronizuar, bastisi bazën e formacioneve paraushtarake shqiptare, e cila fillimisht kishte qenë e vendosur në një shtëpi private në Çegran, dhe paraburgosi udhëheqësit kryesorë: Selam Elmazin, pastaj Hysen Haskajn, zëvendësministër i Mbrojtjes, Shenasi Rexhepin, komandant i mbrojtjes, Burim Murtezanin, Refet Elmazin e të tjerë, ndërsa Imer Imeri, zëvendësministër i Shëndetësisë, pas tentimit për të kërkuar azil në Konsullatën e Turqisë në Shkup, iku në Shqipëri, ku autoritetet shqiptare i dhanë afat 24 orë ta linte vendin dhe ai kishte shkuar diku jashtë, më duket në Çekosllovaki.

Ditët e arrestimeve, Nevzat Halili dhe unë, si sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i PPD-së, ishim në vizitë në Gjermani, prej nga prisnim të shkonim në Strasburg, në Parlamentin Evropian, ku një veprimtar politik i Preshevës na pati caktuar takim me deputeten gjermane Doris Pack.

Pas dy ditëve, unë u ktheva në Tetovë, i painformuar mirë se çka kishte ndodhur, ndërsa Nevzati vazhdoi “vizitën e degëve të PPD-së atje”.

Me të arritur në Tetovë, më kërkuan aktivistë të partisë dhe familjarë të të paraburgosurve dhe mësova se çka kishte ndodhur. Pastaj më kërkoi Mithat Emini, i cili ishte ende në liri, dhe më informoi se çka kishte ndodhur. Të nesërmen, në delegacion me Xheladin Muratin, shkuam në qeveri dhe u takuam me kryeministrin Branko Cërvenkovski, prej të cilit kërkuam urgjentisht të liroheshin të paraburgosurit, por ishte vonë.

Me të mësuar se kisha ardhur nga Gjermania, në sallën e Grupit Parlamentar të PPD-së, në mungesë të kryetarit Halili, më takuan Naser Zyberi, Agim Fazliu dhe Gazmend Ajdaraga; të revoltuar, filluan të bërtisnin dhe kërkuan mbledhje urgjente për ta lëshuar qeverinë.

Lidhur me këtë kërkesë, unë kërkova nga Branko Cërvenkovski të mbanim mbledhje urgjente i tërë Grupi Parlamentar dhe ministrat shqiptarë në qeveri. Ai pranoi. Pas një mbledhjeje shumëorëshe, ku kërkuam lirimin urgjent të të paraburgosurve dhe abolimin e tyre nga kryetari Gligorov, pas diskutimit shumë të ashpër të Xhevdet Hajredinit, të Naserit, Gazmendit dhe Agimit, situata filloi të shtendosej dhe mbledhja mbaroi me përfundimin që të bënim takime të përditshme me ministrin e Brendshëm Fërçkovski, që t’i pengonim arrestimet e reja dhe të gjenim modus që të mos ngrihej padi për personat të cilëve u ishin gjetur armë në shtëpi dhe si të ktheheshin mbi 77 copë armatim i lehtë nga rajoni i Çegranit dhe po aq nga Mali i Thatë-Sarajit, si dhe të mos arrestoheshin komandantët e paarrestuar deri atëherë.

Opinioni shqiptar ishte shumë i shqetësuar për këto arrestime. Partitë politike maqedonase dhe opinioni maqedonas prisnin qëndrimin e PPD-së. Këtë gjë duhej ta bënte Grupi Parlamentar, sepse kryesia e PPD-së nuk funksiononte pas Kuvendit të tretë në gusht të vitit 1993. Ata prisnin që PPD-ja t’i dënonte ashpër këto ngjarje.

Takimi i ambasadorit të emëruar Shaban Murati me Grupin Parlamentar

Pas këtyre ditëve të bujshme, më thirri të më takonte në kafeterinë “Paris”, në Qendrën Tregtare në Shkup, Shaban Murati, ambasador i emëruar i Shqipërisë në Maqedoni, dhe kërkoi një takim të përbashkët me Grupin Parlamentar.

Grupin e thirra për të nesërmen në Kuvendin e Maqedonisë.

Të nesërmen, në praninë e deputetëve, e përshëndeta Shaban Muratin si “vëllai ynë ambasador” dhe e njoftova se kjo kishte qenë një punë e jona e paorganizuar mirë, por me dijen e organeve të shtetit dhe me qëllim të mbrojtjes së popullatës nga agresioni i mundshëm i JNA-së dhe se do të bëheshin përpjekje maksimale që, në bashkëpunim me kryetarin e shtetit Kiro Gligorov dhe kryeministrin Branko Crvenkovski, të liroheshin të paraburgosurit sa më shpejt që të ishte e mundur.

Shaban Murati na dëgjoi, pastaj e mori fjalën duke thënë se këtu ishte në cilësinë e ambasadorit shqiptar në Maqedoni e jo si vëlla, dhe filloi të shpjegonte se ky kishte qenë një aksion i Millosheviqit për destabilizimin e Maqedonisë dhe paraqitjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve si destabilizues të Ballkanit dhe se ne duhej t’i dënonim këto ngjarje dhe aktivitete për mbrojtje si një lloj terrorizmi.

Në lidhje me këtë, ne ishim në aktivitete dhe kontakte të përditshme me Cërvenkovskin si kryeministër dhe bisedonim të gjenim zgjidhje maksimale.

Me këtë ne insistonim, me kërcënimin se do ta lëshonim edhe qeverinë, që Gligorov t’i abolonte të burgosurit. Gligorov kishte bazë ta bënte këtë, sepse nuk mori asnjë masë kur Dimitar Crnomarov mobilizoi paraushtarakët e tij dhe rrethoi kazermën e Manastirit, duke synuar ta përzinte JNA-në nga Maqedonia me metodat dhe stilin e Sllovenisë.

Shaban Murati kërkonte paraburgosjen e Nevzat Halilit dhe Mithat Eminit
Pasi doli Shaban Murati nga salla, disa deputetë ngelëm dhe analizuam kërkesën e tij për komunikatë për ngjarjet. Erdhëm në përfundim se duhej të viheshim në mbrojtje të grupit të arrestuar, por nuk duhej t’i zemëronim as përfaqësuesit e ambasadave, të cilët bënin presion mbi ne të mos e radikalizonim situatën me vendim eventual për lëshimin e qeverisë dhe mezi prisnin një prononcim tonin.

Me kujdes të madh e bëra një propozimtekst, për të cilin u prononcuan edhe shumë deputetë, dhe ua dërguam mjeteve të informacionit publik. Në tekst i dënuam veprimet e policisë dhe vendimin për arrestimin e të pafajshmëve, të cilët ishin në mbrojtje të popullatës; theksuam kutin e dyfishtë të policisë dhe shtetit ndaj formacioneve të ngjashme maqedonase dhe kërkuam lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve.

Ambasadat e huaja dhe Shaban Murati mbetën të pakënaqur me komunikatën e PPD-së.

Pas këtij takimi, Shaban Murati kërkonte takime të shpeshta jo vetëm me mua, si kryetar i Grupit Parlamentar të PPD-PDP-së, por edhe me Xheladin Muratin si nënkryetar të Parlamentit, Mersim Pollozhanin, Abdurrahman Alitin, Xhevdet Hajredinin dhe me deputetë të tjerë dhe ministra.

Takimet me të, gati të përditshme në kafeterinë “Paris”, fillonin dhe mbaronin me dorëheqjen e kryesisë së PPD-së. Në të vërtetë, këto kërkesa Shaban Murati i pati parashtruar rregullisht fill pas Kuvendit të 3-të të PPD-së, që u mbajt në Shkup në fund të gushtit të vitit 1993, por tash ishin tepër intensive.

Kërkesën për shkarkimin e Nevzat Halilit si kryetar i PPD-së ai e llogariste si të kryer, sepse, siç thoshte ai, Sali Berisha dhe PD-ja ishin nën presion të madh nga ambasadori amerikan në Tiranë, i cili i akuzonte se pas kësaj qëndronte Berisha dhe Shqipëria si destabilizuese e Maqedonisë dhe rajonit.

Gjatë takimeve të mia me Shaban Muratin, fill pas paraburgimit të pjesëtarëve të “Batalionit 777”, ai gjithnjë më bënte pyetje: ku është Nevzat Halili, pse nuk është kthyer në Maqedoni, pse nuk arrestohet Mithat Emini si kryekomandant i “Batalionit 777” etj., dhe kërkonte që të krijohej klimë pa protesta, po qe se paraburgoseshin kryetari Halili dhe sekretari Emini.

Me Mithat Eminin asokohe takohesha çdo ditë në Tetovë, kërkoja nga ai të qëndronte fort se PPD-ja nuk do ta jepte lehtë dhe e njoftoja se çka kërkonte Berisha dhe PD-ja: Maqedonia ta burgoste atë.

Shaban Murati nga Grupi Parlamentar kërkonte detronizimin e Nevzat Halilit nga posti i kryetarit të PPD-së dhe burgosjen e tij. Për këtë ai kishte vënë kontakt edhe me kryesinë e degës së Tetovës pas mbarimit të Kuvendit të Tretë të PPD-së, që u mbajt në Shkup më 31 gusht 1993, ku për një votë dështoi tentativa e degëve të diasporës, udhëhequr nga Shaip Bilalli (Zvicër) dhe Vehap Memishi në Gjermani, dhe e kryesisë së PD-së së Shqipërisë, kryesuar nga Tritan Shehu, sekretar i përgjithshëm i PD-së, e cila ishte e paftuar në Kuvend, por që iu lejua pjesëmarrja aty.

Motivi i angazhimit të të dy kryetarëve të degëve të PPD-së në Zvicër dhe Gjermani, Shaip Bilallit dhe Vehap Memishit, sipas mendimit tim, lidhej me kritikat e ashpra që nëndegët e PPD-së në takimet tona partiake ua bënin atyre për abuzimin e fondeve të PPD-së në diasporë.

Kërkesa të pandërprera për reforma në PPD

Në ndërkohë, në vazhdën e aktiviteteve për reforma në parti pas Kuvendit të III-të dhe koordinimin me Degën e Tetovës dhe kryetarin e saj Menduh Thaçi, si dhe anëtarin e kryesisë Mustafaqemal Qahili, e bëja unë dhe për ecurinë e ngjarjeve e informoja ambasadorin Shaban Murati, i cili pastaj e informonte Sali Berishën për ecurinë e ngjarjeve.

Reformat në PPD, në radhë të parë, nënkuptonin dorëheqjen e kryetarit dhe sekretarit të partisë për përgjegjësitë e tyre për shumë lëshime në udhëheqjen e partisë dhe aferën e armëve.

Insistimi dhe synimi im ishte që ndryshimet në udhëheqje të bëheshin në mënyrë demokratike dhe pa turbullira. Me këtë qasje, në esencë, nuk pajtohej ambasadori Shaban Murati, i cili kërkonte shpejtësi në veprime. Diku më 28 nëntor 1993, në orën 1:30 pas mesnate, në telefon më mori Shaban Murati dhe kërkoi një takim urgjent mes meje dhe atij, me kërkesën e Doktorit, ashtu siç e quanin ata Sali Berishën.

Ambasadorin e njoftova se një takim i tillë ishte i pamundshëm, sepse në orën 4 të mëngjesit duhej të nisesha për aeroport, për në Mynih, në një takim të organizuar nga ana e Blerim Shalës me drejtorin e Institutit për Politikë për Evropën Juglindore.

Duket se këtë refuzim timin Shaban Murati e ka marrë si një sinjal se unë dhe Grupi Parlamentar i PPD-së nuk donim ndryshime dhe kanë vendosur kryesinë e PPD-së ta shkarkonin në mënyrë arbitrare me një koment të ashpër të ATSH-së, në programin satelitor, të cilin supozohej ta kishte shkruar vetë Shaban Murati ose Fahri Balliu, një diplomat tjetër në Ambasadë.

Me t’u kthyer nga Mynihu, në Shtutgart na priti kryesia e degës së PPD-së atje dhe, në drekën që na ofruan, unë dhe Iliri (Luma) mësuam prej tyre se kryesia qendrore kishte dhënë dorëheqje kolektive.

Pas këtij komenti tejet denigrues dhe plot shpifje dhe akuza të kreut të shtetit shqiptar, kryesia e PPD-së jep dorëheqje kolektive.

Të frikësuar se pas dorëheqjes kolektive të kryesisë së PPD-së kryesia e re do të ishte në duart e Grupit Parlamentar, udhëheqja e PD-së së Shqipërisë bëri presion të mbahej në mënyrë jashtëstatutore Kuvendi Qendror në Gostivar dhe aty të zgjidhej kryesia e përkohshme, kryesuar nga Menduh Thaçi, kryetar, Aliriza Lloga, nënkryetar, dhe Rufi Osmani, sekretar i përgjithshëm.

Në rrëfimet e tij të mëvonshme, Rufi Osmani deklaron se ka qenë i dezinformuar nga Sali Berisha, i cili e ka bindur se udhëheqësia e PPD-së na paska vepruar jashtë interesave të Shqipërisë.

Sali Berisha dhe programi satelitor i RTSH-së egërsisht e godasin PPD-në
Përpjekjet e Sali Berishës dhe PD-së për ta shpëtuar veten dhe partinë nga akuzat amerikane për destabilizim të Maqedonisë filluan me aktivitetin e përditshëm denigrues të RTSH-së, programit satelitor (i cili, mes të tjerash, financohej nga fondi i 3% i Kosovës, ku fondi i PPD-së ishte ndër kontribuesit më të mëdhenj).

Koment i Agjencisë Telegrafike Shqiptare – ATSH

“Me kuislingë dhe puthadorë nuk mund të zgjidhen problemet e shqiptarëve”
Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se tani së fundi disa pushtetarë maqedonas po përdorin mjete presioni, shantazhi dhe dhune ndaj shqiptarëve në Maqedoni që ata të mbajnë në krye të forcave politike të tyre elementë të diskredituar të tipit Halili, Emini, Nesimi e të tjerë, të cilët kanë qenë në hallkë si në kurthin e armëve të organizuar nga shërbimet sekrete të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, ashtu edhe në burgosjen e njerëzve të pafajshëm në Maqedoni. Këta pilatë janë gjithashtu përgjegjës për bllokimin e jetës demokratike të partisë më të madhe politike të shqiptarëve të Maqedonisë; ata janë autorët e konfuzionit në kërkesat e drejta të shqiptarëve, duke ndjekur një politikë bizantine mesjetare, konfuzion të cilin padronët e tyre e kanë përdorur dhe e përdorin me dhelpërinë më të madhe kundër interesave të shqiptarëve.

Tani, pasi realizuan me ta krimin monstruoz, në të cilin pati edhe të vdekur, në burgje ata kërkojnë t’i mbajnë përsëri në ofiqet që kishin për të vazhduar shërbimet e tyre.

Loja me kukulla dhe të shitur, që Beogradi ka luajtur prej kohësh me pllanat, yenelat dhe tërnavcat në Kosovë, cekat, imamët, çupët në Shqipëri, halilët, eminët e nesimët në Maqedoni, është e turpshme aq edhe e diskredituar.

Ish-majorë dhe kolonelë të shërbimit të fshehtë mund t’i përfaqësojnë vetëm ata të cilët i paguajnë, por kurrë interesat dhe të drejtat legjitime të shqiptarëve.

Qarqet e Beogradit duhet ta kenë të qartë se me shqiptarët asgjë nuk mund të zgjidhësh nëpërmjet kuislingëve të tyre, por vetëm me përfaqësuesit legjitimë, të cilët gëzojnë besimin si të shqiptarëve, ashtu edhe të forcave dhe opinionit demokratik ndërkombëtar.

Të luash me të shiturit e popullit tjetër do të thotë të ndjekësh një politikë mesjetare bizantine, aq më tepër në rastin e shqiptarëve, të cilët, ashtu siç e kanë zhvilluar virtytin e besnikërisë ndaj idealit kombëtar, e kanë të zhvilluar edhe përçmimin ndaj kuislingëve dhe puthadorëve. (Flaka e vëllazërimit, e premte, 3 dhjetor 1993)

Pas sulmeve të ashpra që në Kuvendin e Tretë iu bënë udhëheqjes së PPD-së nga Tritan Shehu dhe diskutimeve të ashpra të anëtarëve të Kuvendit nga Tetova, u mor vendimi që të thirrej Kongresi i parakohshëm i PPD-së dhe, ndërkohë, të bëheshin aktivitete për mbajtjen e tij.

“Megjithatë, pas dorëheqjes kolektive të tërë lidershipit të PPD-së në nëntor 1993, skena politike shqiptare ishte në huti (rrëmujë) komplete”, shkruan në librin e tij Diplomacia në tehun e thikës ambasadori gjerman Geert Ahrens, i cili kryesonte negociatat mes qeverisë së Maqedonisë, partive shqiptare PPD-PDP si koalicion i përbashkët dhe partive maqedonase në lidhje me përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni.

“Në një takim prej dy orë e gjysmë me 50 aktivistë partiakë në Shkup, në lagjen e Karposhit, unë ua sqarova atyre aktivitetet e Grupit të Punës dhe i ballafaqova mendimet e të dy palëve, të ‘moderuarve’ dhe ‘radikalëve’”, vazhdon të shkruajë ambasadori Gert Ahrens.

“Tirana dhe mediumet e saj”, vazhdon Ahrens, “i mbështesnin ‘radikalët’ kryesuar nga Menduh Thaçi dhe Berisha refuzonte ta pranonte liderin e ‘moderuar’ të Grupit Parlamentar të PPD-së, Muhamed Halili, i cili kërkoi nga unë ta merrja në dorë çështjen me presidentin shqiptar.

Unë e bëra këtë dhe në një bisedë 90-minutëshe në Tiranë, më 6 janar 1994, Berisha më tha se të ashtuquajturit ‘të moderuar’ ishin të pamoralshëm, sepse ata ishin të involvuar me tregtinë e armëve”, përfundon Gert Ahrens.

Me t’u kthyer nga Tirana, ku Ahrens ishte emëruar tashmë ambasador i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori më thirri në drekë në Tetovë dhe më informoi për bisedën me Sali Berishën dhe refuzimin e tij për t’u takuar me Grupin Parlamentar.

Sali Berisha: Kam përkrahur Arben Xhaferin
Shumë vite më vonë, në një intervistë të gazetarit Emad Mehmedi me Dr. Sali Berishën në Almakos, më 6 mars 2019, ai e pranon se ka pasur rol destruktiv në shkatërrimin e PPD-së për ta shfajësuar veten nga akuzat.

Gazetari Mehmeti:

“A mund të na thoni se në kohë dhe momente të caktuara ju personalisht keni ndikuar që parti ose politikanë të caktuar të dalin më në sipërfaqe në Maqedoni dhe Kosovë?”

“Unë e çmoj pa dallim kontributin e forcave politike shqiptare jashtë Shqipërisë, por në momente të caktuara kam qenë i detyruar të ndërhyj dhe çdo ndërhyrje e kam bërë me keqardhjen më të madhe.

Kam ndërhyrë, kam ndërhyrë para shumë vitesh, kur shërbimi sekret maqedonas, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar, në kohë të Ramiz Alisë, kishin shpërndarë disa armë te shqiptarët e Maqedonisë me pretekstin se, po të na sulmojë Serbia, të mbrohemi, se nuk kishte armë vetë Maqedonia.

Çka ndodhi më vonë?

Më vonë, kur unë insistoja në të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, insistoja në hapjen e Fakultetit të Mësuesisë, insistoja në shkollimin e tyre dhe Gligorovi këto premtime nuk i mbajti dot, nuk i mbajti, nuk deshi apo nuk i mbajti, puna e tij, atëherë Gligorovi në qeverinë e tij nxori filmimin për të më akuzuar, filmimin sikur ne kemi futur armë në Maqedoni.

Mirëpo unë kisha filmimin e vitit 1991, kur unë nuk isha fare në pushtet, dhe natyrisht këtë kollaj e rrëzova.

Por problemi është se në reprezaljet që i bënë ata ndaj shqiptarëve qenë barbarë dhe vdiq një mjek nga infarkti i miokardit, nga rrahja dhe keqtrajtimi, dhe kjo më revoltoi. Dhe këtu unë kam ndërhyrë se kishte një gabim edhe disa politikanë shqiptarë që ishin implikuar në këtë gjë dhe, natyrisht, ata që nuk ishin implikuar në këtë gjë… Kam përkrahur Arben Xhaferin.”

Afera e armëve epilogun e saj e mori disa muaj më vonë, pas zbulimit të saj dhe mbarimit të hetimeve.

Më 28 qershor 1994, në Gjykatën Komunale në Shkup, gjykatësi Lubomir Joveski shpalli dënimet për grupin e armatosur.

Korrespondenti i gazetës Flaka e vëllazërimit, Ilir Ajdini, më 28 qershor 1994, në faqen 4 të gazetës, shkruan si vijon:

“…Në arsyetimin e vendimit të vet, gjegjësisht duke shpjeguar pse këta të akuzuar shpallen fajtorë, gjykatësi Joveski pothuajse fjalë për fjalë përsëriti aktakuzën: ‘U dëshmua’, tha ai, ‘se në tetor-nëntor 1991… disa prej të akuzuarve kanë formuar shoqërinë armiqësore, e pastaj disa i janë bashkëngjitur kësaj shoqërie, kanë ndërmarrë disa aktivitete, kanë bërë disa analiza, janë takuar këtu e aty’ e kështu me radhë. Me një fjalë, të gjitha ato që aktakuza i cek si fakte të supozuara, Këshilli Gjyqësor treanëtarësh i pranoi si vepra të kryera, pa marrë në konsiderim asnjë argument që do të shkonte në mbrojtje të të akuzuarve.

Sidoqoftë, përpara anëtarëve të familjeve të të akuzuarve, policëve, gazetarëve, disa personave të tjerë dhe kamerës së televizionit maqedonas, gjykatësi Joveski i shpalli dënimet, sipas të cilave të akuzuarit dënohen si vijon: Mithat Emini (i akuzuari i parë) dënohet me 8 vjet burg, Hasan Agushi (i akuzuari i dytë) me 8 vjet burg, Resmi Ejupi (i akuzuari i tretë) me 7 vjet, Selam Elmazi (i akuzuari i katërt) me 7 vjet, Shenasi Rexhepi (i akuzuari i pestë) 7 vjet, Hysen Haskaj (i akuzuari i gjashtë) 6 vjet, Burim Murtezani (i akuzuari i shtatë) me 5 vjet, Aqif Demiri (i akuzuari i tetë) me 6 vjet, Abdiselam Arsllani (i akuzuari i nëntë) me 6 vjet dhe Eugjen Cami (i akuzuari i dhjetë) me 5 vjet burg.”

Më poshtë gazetari Ajdini shkruan:

“Në fund të këtij raporti (të fundit) nga ‘gjykimi i parë politik në Maqedoninë e re (pas Jugosllavisë)’, të themi se pamja në sallën e gjyqit, pas shqiptimit të dënimeve, ishte tronditëse (askush nga tragjedia e vet nuk bëri dramë, por kjo shihej në sytë e të gjithëve), ndërsa fjala më e shpeshtë që dëgjohej pas përfundimit të të gjithë kësaj ishte — ‘tmerr!’” (10 veta – 65 vjet burg)

Pas shqiptimit të dënimeve reagoi me kumtesë të saj PPD-ja, si vijon:

Farsë gjyqësore kundër proceseve demokratike

Me rastin e shqiptimit të dënimeve të dhjetë shqiptarëve në të ashtuquajturën “Aferë e armëve” nga Gjyqi Komunal i Shkupit, Partia për Prosperitet Demokratik për opinionin lëshon këtë komunikatë:

“Dënimet e shqiptuara dhjetë shqiptarëve në të ashtuquajturën ‘Afera e armëve’ nga ana e Gjyqit Komunal të Shkupit edhe njëherë dëshmuan se Republika e Maqedonisë, mjerisht, gjendet ende larg mundësisë të jetë shtet juridik, ku do të gjykohet sipas ligjit dhe fakteve relevante.

Aktgjykimi i Gjyqit Komunal të Shkupit është shembull shkollor se në Republikën e Maqedonisë sundon voluntarizmi, ndërsa paragjykimet politike janë bazë për rekrutimin e ‘armiqve të shtetit’. Armiq edhe ashtu ka mjaft dhe nuk ka nevojë për prodhimin e tyre.

Partia për Prosperitet Demokratik me sinqeritet priste që Gjyqi ta tejkalonte vetveten dhe ta ndërpriste praktikën e njohur të deritashme kur gjykoheshin përcaktimet politike. Mjerisht, dëshpërimi ynë është i plotë, sepse kjo farsë gjyqësore paraqet një grusht të rëndë ndaj proceseve demokratike, me synim të qartë që ato t’i pengojë, që në Republikën e Maqedonisë ta inaugurojë sistemin e anarkisë, kaosit dhe papërspektivës.

Partia për Prosperitet Demokratik i drejtohet opinionit demokratik në vend dhe më gjerë që t’ua ndërpresë hovin të gjitha tendencave që shpien qartë drejt destabilizimit në Republikë.

Dënimet drakonike në këtë proces të montuar gjyqësor shpien drejtpërdrejt nga kjo. Atëherë nuk do të jetë aspak me rëndësi cili qe fajtori më i madh apo më i vogël. Partia për Prosperitet Demokratik me siguri se jo.”

Arrestimet e përfaqësuesve të “Aferës së armëve” i dënoi kryetari i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, më 13 nëntor 1993, në konferencën e rregullt për shtyp, me këto fjali:

“Për fat të keq, burgosjet filluan këto ditë edhe në Maqedoni, ku u arrestua një grup shqiptarësh”, theksoi kryetari Rugova dhe në vazhdim shtoi: “Për ne këto arrestime janë një formë e njohur e proceseve politike, të cilat bëhen me qëllim të komprometimit të kuadrove shqiptare që kanë filluar të hyjnë në institucionet e Maqedonisë dhe që të komprometohen partitë politike shqiptare sipas një skenari identik me skenarët që zbatohen në Kosovë. Natyrisht, destabilizimi i Maqedonisë është njëri prej qëllimeve të Serbisë. Arrestimet e shqiptarëve në Maqedoni, për fat të keq, u shpallën menjëherë pas deklaratës së Millosheviqit në Beograd, pas takimit me ministrin e Jashtëm grek Papulas…”

Për fat të keq, liderë të PD-së së Shqipërisë, në krye me Sali Berishën, “Aferën e armëve” e shfrytëzuan për dhënien e goditjes fatale organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoni. Me veprimet e tyre ata e shlyen nga skena politike Partinë për Prosperitet Demokratik.

Disa ditë pas instalimit të një kryesie alternative në PPD, kryetari i PD-së, Eduard Selami, priti një delegacion të grupit alternativ të PPD-së më 14 dhjetor 1993.

Me rastin e kësaj vizite, Eduard Selami pati deklaruar:

“Kuvendi i Gostivarit është një ngjarje historike për Partinë për Prosperitet Demokratik, si dhe për të gjithë shqiptarët në Maqedoni. Ai shënon një kthesë të madhe të respektimit të normave demokratike në parti. Ai është një fitore e forcave demokratike në parti kundër elementeve të korruptuar, të shitur dhe të implikuar në veprimtari terroriste…”

Këtij kualifikimi idiotesk të Eduard Selamit iu përgjigja menjëherë në Televizionin e Maqedonisë dhe në të gjitha gazetat si vijon:

“‘Kontrabanda’ e shpifur me armë ndoshta është një lloj terrorizmi, por, megjithatë, akti më i lartë i terrorizmit është përpjekja për të shkatërruar PPD-në, akti më i lartë i terrorizmit gjithsesi është përpjekja për të përçarë popullin shqiptar në Maqedoni. Vizita është një akt i dëgjueshmërisë së shërbëtorit ndaj padronit të tij: kësaj radhe dëgjueshmëri dhe servilitet i shërbëtorëve Lloga dhe Xhaferi ndaj padronëve Selami dhe Spahia.”