Sot, si një rrufe në qiell të pastër, u shfaq një letër e hapur e profesor Sazan Gurit, i cili është edhe profesor, edhe doktor.
Në letrën e hapur ai i kërkonte Doktorit të jepte dorëheqjen për herë të tretë në jetën e tij.
Muli, i xhindosur, thirri urgjentisht Lelon për kundërpërgjigjen.
— Këtij duhet t’i tregojmë vendin, — tha, — se ky është i futur nga të huajt.
— Nuk besoj, — tha Lelo, — por mendon se Doktori i ka zënë hijen e diellit dhe tani që ka një rast të shpërthejë, ky nuk ikën.
— Po përse thotë tri herë? — tha Muli. — Doktori vetëm një herë ka dhënë dorëheqjen, më 1997. Dhe atëherë nuk kishte çfarë të bënte më.
— Po ja, e dha dorëheqjen edhe më 2013, — tha Lelo.
— Po ai nuk hoqi dorë më 2013, — tha Muli. — Vazhdoi. Kur pa se ai që caktoi po e tradhtonte, e hoqi.
— Po tani nuk do t’i sqarojmë Sazanit historinë, — tha Lelo. — Ideja e tij është që Doktori t’u hapë rrugë studentëve.
— Po kujt t’i hapë rrugë, more? E ke parë kush po kandidon për në krye? Kjo Kuçana, që unë nuk e vë as në listën e këshillit bashkiak.
— Ajo ruan kuotën e Tropojës, — tha Lelo, — pasi ka marrë vesh se kandidon edhe dikush nga Lekbibaj. Pastaj të tjerët janë të lirë.
— Sazani s’ka lidhje me këtë punë. E ka në parim kërkesën.
— Duhet t’i kthejmë përgjigje, — tha Muli. — Kush tërhiqet nga lufta është tradhtar. Dhe Doktori nuk ka tradhtuar asnjë revolucion. As më 1990, as më 1997 dhe as më 2017 nuk iku.
— Dakord, — tha Lelo, — dhe mund t’i përgjigjemi. Por puna është se ai nuk pushon. Shkruan përsëri. Prandaj më mirë të mos i kthejmë fare. Ia komunikojmë nga afër, po e gjetëm në bulevard./Antena/TemA

