Ndërron jetë aktori i serialit “The Sopranos”

Ndërron jetë aktori i serialit “The Sopranos”

Aktori amerikan Vincent Pastore, i njohur për rolin e Salvatore “Big Pussy” Bonpensiero në serialin e famshëm “The Sopranos”, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Pastore u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Bronx, New York, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka indikacione për veprimtari kriminale.

Në “The Sopranos”, ai interpretoi mikun më të ngushtë të Tony Sopranos, i cili më vonë rezultoi informator i FBI-së. Vdekja e personazhit të tij në sezonin e dytë konsiderohet një nga momentet më të paharrueshme të serialit, megjithëse Pastore vazhdoi të shfaqej në episode të mëvonshme.

Menaxheri i tij, Robert Attermann, tha se për publikun Pastore do të mbetet gjithmonë “Big Pussy”, por për ata që e njohën nga afër ai ishte shumë më tepër. Sipas tij, aktori ishte i pasionuar pas profesionit, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte dhe të udhëzonte aktorët e rinj.

I lindur në Bronx në vitin 1946, Vincent Pastore shërbeu fillimisht në Marinën Amerikane gjatë Luftës së Vietnamit, përpara se t’i përkushtohej aktrimit.

Karriera e tij përfshin role në filma të njohur si Goodfellas dhe Carlito’s Way, si edhe paraqitje në seriale televizive si Law & Order, General Hospital dhe Hawaii Five-0.

Në vitin 2000, Pastore dhe aktorët e tjerë të The Sopranos fituan çmimin Screen Actors Guild për interpretimin më të mirë të një ansambli në një serial dramatik. Ai mbetet një nga figurat më të dashura dhe më të njohura të televizionit amerikan.