Kanadaja po shqyrton një hap të paprecedentë në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Kryeministri Mark Carney po promovon idenë që vendi i tij të marrë statusin e “anëtarit të asociuar” të BE-së, një kategori që nuk ekziston aktualisht, por që sipas “Wall Street Journal” po diskutohet mes zyrtarëve europianë dhe kanadezë.
Nisma vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Otavës dhe Uashingtonit kanë arritur nivelin më të ulët të viteve të fundit. Lufta tregtare me SHBA-në është përshkallëzuar pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025, me tarifa që prekin dhjetëra miliarda dollarë mallra që qarkullojnë mes dy vendeve. Pikërisht kjo situatë e ka shtyrë Kanadanë të kërkojë partneritete të reja strategjike me Europën.
Sipas raportit, Bashkimi Europian dhe Kanadaja po diskutojnë krijimin e një hapësire shumë më të integruar për mallrat, shërbimet dhe fuqinë punëtore në sektorë strategjikë si energjia, inteligjenca artificiale, mbrojtja dhe mineralet kritike. Qëllimi është që kompanitë dhe punonjësit e përfshirë në këta sektorë të kenë lëvizje shumë më të lehtë mes dy anëve të Atlantikut. Reuters shkruan se kjo do të sillte praktikisht një zgjerim funksional të kufirit ekonomik të Bashkimit Europian drejt Kanadasë.

