Parlamenti Europian diskutoi këtë të martë raportin e Shqipërisë për vitin 2025. Hartuesi i këtij raporti, Andreas Schieder dhe komisionerja për Zgjerim Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në procesin e intergimit, ndërsa disa eurodeputetë të Grupit të Majtë dorëzuan disa amendamente. Njëri prej të cilëve ngrinte shqetësimin e projektit të Zvërnecit.
***
Raporti i Shqipërisë për vitin 2025, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder, u diskutua këtë të martë në Parlamentin Europian, ndërsa sinjale pozitive për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian erdhën sërish edhe nga Komionerja për Zgjerim Marta Kos.
“Shqipëria ka bërë së fundmi një hap të rëndësishëm përpara, duke përmbushur standardet e përkohshme për sundimin e ligjit (IBAR), çka i mundëson vendit të nisë mbylljen e kapitujve. Megjithatë, mbetet ende shumë punë për t’u bërë. nëse vendet kandidate po japin rezultate, edhe ne duhet të japim rezultatet tona ky është një angazhim edhe nga ana jonë. Sepse nëse nuk arrijmë t’i integrojmë dhe nuk i ndihmojmë të rezistojnë kur kundërshtarët përpiqen t’i largojnë nga rruga europiane, atëherë të tjerët do të vijnë dhe do t’i përdorin kundër nesh. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë”,- tha Kos.
Ndërsa raportuesi Andreas Schieder tha se Shqipëria është tashmë me një këmbë në Bashkimin Europian.
“Vendi i dytë në listën e vendeve kandidate për anëtarësim është Shqipëria. Shqipëria tashmë e ka një këmbë në kampin europian. Ajo ka ndjekur hapat e nevojshëm dhe më shumë se 90% e qytetarëve shqiptarë e mbështesin këtë hap, ndërsa projekti europian gëzon mbështetje në të gjithë spektrin politik. Objektivi është që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe kjo tani është një perspektivë realiste”,- tha Schieder.
Protestat masive në kryeqytet dhe projekti i Jared Kushner në Zvërnec nuk ka kaluar pa vëmendjen e eurodeputetëve. Eurodeputetë të grupit politik The Left Group kanë propozuar 4 amendamente, mes të cilëve shqetësimi për resortin luksoz të dhëndrit të Presidentit amerikan Trump.
Megjithatë, raportuesi Schieder tha se Shqipëria do t’i përmbushë të gjitha standardet europiane për realizimin e këtij projekti.
“Jam i bindur se të gjitha instrumentet ligjore të BE-së që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e zonave natyrore, mbrojtjen e shpendëve dhe kafshëve të tjera, ky tërësi instrumentesh legjislative do të jetë shumë efektive. Kjo do të thotë se standardet europiane do të zbatohen në Shqipëri, sepse jam i bindur se Shqipëria nuk dëshiron të rrezikojë pozicionin e saj në këtë proces”,- tha Schieder.
Raporti I Shqipërisë për vitin 2025 pritet të miratohet në seancë plenare të mërkurën, pasi ka marrë më herët dritën jeshile nga Komisioni i Jashtëm. Përmbushja dhe cilësia e reformave do të përcaktojnë afatin kohor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në raportin e përpiluar Brukseli apelon që Shqipëria të thellojë reformat dhe të forcojë sistemet demokratike. Nevoja për ndërhyrje urgjente shihet në pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, ndonëse vlerësohet puna e bërë deri më tani nga SPAK.
Katër amendamentet
Amendamenti numër 4, i propozuar nga eurodeputetët Ilaria Salis, Danilo Della Valle, Emma Fourreau, Rima Hassan, Hanna Gedin, Jonas Sjöstedt, Sebastian Everding, në emër të Grupit të Majtë, fokusohet te mbrojtja e mjedisit në Shqipëri dhe investimi i planifikuar në Zvërnec.
“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktojnë shqyrtimin mjedisor, çka rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera mjedisore të ndjeshme; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore ; shpreh, për rrjedhojë, shqetësim lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”,- thuhet në amendamentin numër 4.
Ndërsa amendamenti për paragrafin i ri 46a të Raportit për Shqipërinë: “Thekson faktin se Komisioni e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, në mes të protestave kombëtare në vazhdim lidhur me një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë që kërcënon një zonë të mbrojtur natyrore, habitat i flamingove, fokave dhe vendeve të folezimit të breshkave; në këtë drejtim , i bashkohet kritikave të Komisionit dhe rikujton se përafrimi me rregullat mjedisore të Bashkimit Europian, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, është një parakusht për anëtarësimin në BE.”
Grupi politik The Left Group kërkon që pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, marrëveshja për emigrantët me Italinë të pushojë së zbatuari dhe qendrat italiane të ndalimit të emigrantëve në Gjadër të mbyllen.
“Vëren se, pasi anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian të jetë përfunduar, Shqipëria nuk do të konsiderohet më një vend jashtë BE-së; vëren, për rrjedhojë, se Memorandumi Itali-Shqipëri për Migracionin do të pushojë së zbatuari dhe se qendrat italiane të ndalimit në Shqipëri duhet të mbyllen”,- thuhet në paragrafi i ri 49a që eurodeputeti Danilo Della Valle synon t’i modifikojë Raportit për Shqipërinë.
“Nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal si përbërës thelbësorë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe mirëpret pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në nismat rajonale; thekson, megjithatë, në këtë kontekst, se një bashkëpunim i tillë nuk duhet në asnjë rrethanë të përdoret nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian për të detyruar Shqipërinë, apo çdo vend tjetër kandidat, të ndërmarrë masa që do të binin ndesh me të drejtën e Bashkimit Europian; thekson faktin se bashkëpunimi nuk mund të shërbejë si mjet për të anashkaluar detyrimet e BE-së apo për të cenuar të drejtat themelore, siç ilustrohet nga vendimet e fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian në lidhje me Memorandumin e Mirëkuptimit Itali-Shqipëri; rikujton, në lidhje me këtë çështje, shqetësimet e shprehura nga Gjykata e Apelit e Romës lidhur me përdorimin aktual të qendrës së Gjadrit si një qendër e plotë ndalimi para dëbimit (“centro di permanenza per i rimpatri”), e cila duket se është në kundërshtim me nenin 9(1) të Direktivës 2013/32/BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 26 qershor 2013, mbi procedurat e përbashkëta për dhënien dhe heqjen e mbrojtjes ndërkombëtare; nënvizon nevojën për bashkëpunim më të thellë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur koordinim më të ngushtë mes partnerëve rajonalë për të luftuar krimin e organizuar, kërcënimet kibernetike dhe sfidat hibride; njeh rëndësinë strategjike të rajonit Adriatiko-Jonian për sigurinë europiane dhe stabilitetin ekonomik; i bën thirrje Shqipërisë të forcojë kapacitetet e saj të sigurisë detare në koordinim me BE-në dhe NATO-n, përfshirë forcimin e infrastrukturës detare, përmirësimin e sistemeve të mbikëqyrjes dhe intensifikimin e përpjekjeve për të luftuar aktivitetet e paligjshme, si trafikimi i qenieve njerëzore; inkurajon Shqipërinë të bashkëpunojë më ngushtë me shtetet bregdetare të BE-së për të siguruar mbrojtjen e rrugëve detare kritike dhe qëndrueshmërinë mjedisore në rajon”,- thuhet në amendamentin numër 6.

