Shteti ka ndalur, Presidenti në luftë të hapur me Kryeministrin

Shteti ka ndalur, Presidenti në luftë të hapur me Kryeministrin

Nuk ka më asnjë dyshim se ka nisur një luftë e ftohtë mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Kur u betua qeveria “Rama 2” u duk se marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës nuk ishin aq të ftohta, por pas muajit nëntor duket se ka nisur lufta mes tyre. Rasti që e tregon më së miri një gjë të tillë është mungesa e dekretit të drejtorit të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror. Qysh më 30 tetor të vitit 2017 në tavolinën e Presidentit Meta, kreu i qeverisë ka dërgua një shkresë, ku kërkon që pasuesi i Visho Ajazi Likës të jetë Helidon Bendo. Që prej asaj date, kanë kaluar 4 muaj dhe kreu i shtetit nuk ka marrë ende asnjë vendim. Nuk dihet arsyeja se përse Meta nuk e ka dekretuar apo heziton të dekretojë kandidaturën e Bendos, por një veprim i tillë lë të nënkuptohet se është një provë force dhe një kundërshtim i hapur që Presidenti i bën qeverisë. Madje, ky karshillëk i Metës ndaj Ramës tregon qartë se pavarësisht ndarjes së pushteteve, përplasja dhe lufta mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë rritet nga dita në ditë.

Bisedimet me Greqinë, përplasje Meta-Bushati

Një tjetër provë që dëshmon qartë se ka një luftë të ftohtë mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama është marrëveshja me Greqinë sa i takon çështjes së detit. Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i kërkoi plotfuqishmëri Presidentit Ilir Meta për nisjen e bisedimeve teknike me Greqinë, ku çështja e detit është dhe pika më e nxehtë mes të dy vende. Por një javë më pas, përmes një prononcimi për mediat, Meta njoftoi se i ka kthyer pas Ministrisë së Jashtme kërkesën për autorizimin për dhënien plotfuqisë për grupin që do të negociojë me Greqinë marrëveshjen e re për detin. Presidenti shpjegoi se sipas tij, kërkesa nuk ishte paraqitur në respekt të Kushtetutës dhe përcaktimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje. Ndërsa më pas Ministria e Jashtme reagoi duke shpjeguar se letrës së Presidentit do t’i përgjigjet në mënyrë institucionale. Dhe kështu ndodhi. Ministria e Jashtme i dërgoi një shkresë të dytë Metës, me anë të së cilës i kërkoi sërish plotfuqi. Madje, në letër Bushati kishte shënuar edhe sqarimet e kërkuara nga Presidenti. Megjithatë, pavarësisht detajeve të shkruara në letrën e dytë, Meta i ktheu sërish Bushatit kërkesën për autorizim për negociatat me Greqinë. Pra përmes këtyre veprimeve dhe ecejakeve, tregohet qartë se ka shpërthyer një luftë mes Qeverisë dhe Presidencës.

Presidenti bojkoton ligjet e qeverisë

Mirëpo nuk ndalet me kaq, pasi lufta e ftohët mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama është spostuar edhe në kuadrin ligjor. Gazeta ka bërë një kërkim dhe rezultojnë se janë 8 ligje që janë miratuar nga Kuvendi gjatë këtyre dy muajve, ndërkohë që kreu i shtetit duket se i ka bojkotuar ato. Nga vëzhgimi i gazetës rezulton se janë dy ligje që Presidenti Meta i ka kaluar në heshtje, është ligji për marrëveshjen e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës dhe ligji për hartimin e një studimi mbi investimet në infrastrukturë. Po ashtu nga kërkimi i gazetës rezulton se janë tre ligje që Meta i ka dekretuara por nuk i ka papublikuara te faqja zyrtare e Presidencës, siç është ligji për festat zyrtare dhe ditët përkujtimore. Ndërkohë nga kërkimi rezulton se janë plot tre ligje të pa dekretuara nga Presidenti, siç është ai për ratifikimin e traktatit që themelon komunitetin e transportit, si dhe ligjet për burimet ujore dhe energjinë. Megjithatë, mbetet për tu parë në ditët në vijim se si do të shkojë kjo përplasje mes Presidencës dhe Kryeministrisë./  Rigels Seliman