Nga Ylli Manjani
Platformat politike të pagëzuara si “Besa” apo “Pasqyra” janë, pa dyshim, forma më e re e marketingut politik që Edi Rama ka zgjedhur për komunikimin me publikun. Mund të jesh dakord ose jo me përmbajtjen e tyre, por një gjë është e padiskutueshme, ato përfaqësojnë vizionin politik të momentit të njeriut që qeveris vendin.
Të kuptohemi, këtu nuk ka asgjë të jashtëligjshme apo të pazakontë. Kush qeveris ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të shpalosë vizionin e vet, të propozojë ide, të hapë debate dhe të kërkojë mbështetje për to.
Në këtë pikë, Edi Rama është krejtësisht legjitim.
Problemi nis një hap më pas.
Kur pas kryeministrit rreshtohen ministrat, deputetët dhe çdo vartës politik për të prodhuar jehonën e tij, tabloja bëhet e shëmtuar. Njerëz që paguhen për të qeverisur, për të zgjidhur probleme dhe për të dhënë llogari, shfaqen çdo ditë si komentatorë të vizionit të shefit të tyre. Nuk komunikojnë çfarë kanë bërë, le pastaj atë që skanë bërë, por komunikojnë çfarë ka menduar Edi Rama. Ata shfaqen njësoj bosa si bosi i tyre.
Është shtuar në mënyrë alarmante prania e ministrave dhe deputetëve bosa në jetën publike me shkrime e statuse që nuk kumtojnë asnjë mendim personal, nëse kanë ndonjë. Janë tekste pa identitet, pa karakter, pa përgjegjësi. Papagaj politikë që përsërisin të njëjtat formula, të njëjtat metafora dhe të njëjtin ton. Në vend që ta forcojnë mesazhin e shefit të tyre me zgjidhje ekzekutive, ia zbehin atë. I nxjerrin bojën një konstruksioni politik që ai vetë përpiqet ta ndërtojë me kujdes.
Fjala vjen, lexova para disa ditësh një shkrim patetik të një ministri që fliste me kritika për shërbimet që qytetarët nuk i marrin, pa thënë asnjë fjalë për veten që ka dështuar ta bëjë atë shërbim. Le pastaj gjuha e dhimbsurisë për qytetatët, që e përdorte si hartim i klasës së katërt… Bahhh!!
Nëse Edi Rama beson seriozisht se “Besa” apo “Pasqyra” mund të jenë instrumente të dobishme komunikimi, atëherë duhet t’u japë një udhëzim shumë të thjeshtë ministrave të tij: bëhuni ekzekutivë, jo analistë. Aq më pak kritikë publikë të sektorëve që drejtojnë.
Ministri nuk është filozof i administratës. Ai nuk paguhet për të bërë diagnoza publike mbi problemet e shtetit, por për t’i zgjidhur ato. Deputeti nuk është jehonë e zërit të kryeministrit, por përfaqësues i qytetarëve.
Raportoni ore për çfarë keni bërë, çfarë keni zgjidhur, ku keni dështuar dhe çfarë do të bëni nesër. Kjo është politika ekzekutive. Pjesa tjetër është propagandë.
Propaganda, kur bëhet nga vartësit, kthehet në servilizëm.
O Zot, sa patetike është bërë gjuha e komunikimit në këto kushte! Nuk është më komunikim politik, është një garë kush kopjon më mirë stilin e Ramës. Një gjuhë qokash, sloganesh dhe moralizimesh, aq artificiale sa provokojnë lodhje publike dhe deri në neveri. Ironia është se shumë prej këtyre shkrimeve duken sikur nuk i besojnë as vetë autorët e tyre.
Nëse Rama po mendon seriozisht të bëjë edhe një ligj për “Pasqyrën”, do të ishte më e dobishme të shihte fillimisht pasqyrën e kabinetit dhe të bashkëpunëtorëve të vet. Aty do të gjente problemin e parë të komunikimit publik, ku vartës që sillen si udhëheqës në Facebook dhe si spektatorë në qeveri.
Le t’i ndalojë komunikimet teorike, qokat trushpërlarëse dhe imitimet groteske të liderit. Nuk bindin askënd, vetëm neverisin.
Në fund të fundit, secili le të komunikojë si të dojë. Por një gjë është e qartë se servilizmi nuk prodhon autoritet, prodhon përçmim. Sot, paradoksalisht, jo opozita, por vetë vartësit e Edi Ramës po e bëjnë komunikimin qeveritar më të bezdisur dhe të lodhshëm se kurrë.

