VIDEO/ Gafa e Berishës i kushton shtrenjtë Shqipërisë, Finlanda mposht 2-1 kuqezinjtë! Tërbohen futbollistët e Maran: Arbitri na mohoi penalltinë dha vendime të çuditëshme

VIDEO/ Gafa e Berishës i kushton shtrenjtë Shqipërisë, Finlanda mposht 2-1 kuqezinjtë! Tërbohen futbollistët e Maran: Arbitri na mohoi penalltinë dha vendime të çuditëshme

Kombëtarja shqiptare ka pësuar disfatën e parë në Ligën e Kombeve në ndeshjen më të rëndësishme të grupit. Në Helsinki Finlanda përmbysi me rezultatin 2-1 kuqezinjtë të cilët u gëzuan shumë shpejtë në këtë transfertë. Kjo pasi në minutën e 4 Rey Manaj zhbllokoi shifrat me kokë pas goditjes së këndit të harkuar nga Kristjan Asllani.

Në vijim kombëtarja po kontrollonte lojën, deri në minutën e 22 kur Etrit Berisha gaboi rëndë. Në tentativë për të rikuperuar një pasë të dhënë gabim portieri 37-vjeçar ndërhyri në mënyrë të parregullt dhe si lojtar i fundit u ndëshkua me karton të kuq. Për rrjedhojë Maran vendosi të largonte nga fusha Arbër Hoxhën për të aktivizuar Alen Sherrin. Ky i fundit, i sapo futur në fushë, pësoi golin e barazimit nga goditja e dënimit me të rinisur loja.

Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa në të dytën e njëjta skemë do të trondiste kuqezinjtë. Ekzaktësisht në minutën e 71 Walta do të shënonte golin e dytë për Finlandën nga një tjetër goditje dënimi. Edhe këtë herë reagimi i Alen Sherrit la për të dëshiruar. Rast shumë i dyshimtë në këtë përballje do të mbetet episodi i minutës së 79 kur një ndërhyrje ndaj Uzunit u konsiderua simulim, ndërkohë që kuqezinjtë protestuan për penallti. Ndërhyrja ishte në limite, ndërsa për protesta u ndëshkua si Uzuni ashtu edhe trajneri Maran. Në vijim pati edhe një kontroll me VAR, por që u cilësua si simulim nga arbitrat.

Në fund transferta e Finlandës rezultoi disfata e parë për kuqezinjtë, që u kushtoi edhe vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve. Finlanda u ngjit në kuotën e 7 pikëve, kundrejt 6 të Shqipërisë në vendin e dytë. Ndeshja e ardhshme e kuqezinjve do të jetë me 6 tetor në Air Albania kundër San Marinos. Sfida e vlefshme për Ligën e Kombeve do të nisë në orën 20:45.

Rezultati live: Finlandë 2-1 Shqipëri

Momentet më të rëndësishme

71′- Walta tregohen edhe njëherë i frikshëm. Realizon nga një tjetër goditje dënimi. Reagim jo i mirë i Alen Sherrit.

46′- Nis pjesa e dytë në Helsinki

45+3′ Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 1-1.

26′ Walta barazon shifrat për Finlandën. Goditja e dënimit e shkaktuar nga Berisha përfundon në rrjetë.

22′- Gafë e Etrit Berishës. Portieri i Shqipëris fillimisht pason gabim dhe në tentativë për të rikuperuar ndërhyn gabimisht në hyrje të zonës. Si lojtar i fundit ndëshkohet me të kuq dhe lë Kombëtaren me 10 lojtarë. Largohet Arbër Hoxha dhe në vendin e tij Alen Sherri

4′- Gol Shqëria me Rey Manajn. Kristjan Asllani kroson nga goditja e këndit dhe sulmuesi shqiptar nuk fal, duke dërguar topin në rrjetë.

1′- Ka nisur në Helsinki ndeshja e 3 e Kombëtares në Ligën e Kombeve teksa përballet në transfertë kundër Finlandës.