Grupi i zjarrit të Sali Berishës është kapur në flagrancë nga policia duke hedhur molotovë në drejtim të Kryeministrisë, por edhe me çantat e mbushura plot me lëndë prioteknike. Një ditë pas protestës së 17 prillit, Blutë e Tiranës informuan se në pranga kanë rënë 11 protetsues, 18-50 vjeç, të akuzuar për “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Ndryshe nga protesta e kaluara, dhuna e militantëve të Berishës nuk përshkallëzoi, pasi policia reagoi duke i shpërndarë me shpejtësi me ujë, gazlotsjellës dhe spraj. Protestuesit u kapën në befasi nga reagimi i bluve, të cilët duket se ndoqën strategji të re nën udhëzimin e kryepolicit të ri, Skënder Hita. Efektivët ndërhynë menjëherë në ‘zemrën’ e grupit të zjarrit, që siç vetë njofton Policia, disa prej protestuesve u arrestuan duke hedhur fishekzjarrë e molotovë në drejtim të godinës së qeverisë.
“Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, informoi Policia e Tiranës.
Ndërsa militantët ishin ende në terren, policia sekuestroi edhe 45 bomba molotov të pashpërthyera, një tjetër lëvizje e bluve që solli dështimin e skenarit të grupit të zjarrit për të sulmuar parlamentin pasi mbetën pa municione. Ndryshe nga herët e tjera, kur gjyqtarët i liruan protestuesit e dhunshëm, duket se gjyqtari i radhës do ta ketë më të vështirë, të paktën për 6 prej tyre të cilët janë kapur mat nga policia me çantat e mbushura me molotovë. Kjo strategji e kryepolicit të ri Hita, me arrestimet në flagrancë, pritet të jetë prova për mbajtjen e militantëve në qeli.
Policia vuri nën hetim 15 protestues të tjerë të akuzuar për “Prishje të qetësisë publike”. Në hetim u vu edhe Klevis Balliu për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Aulon Kalaja për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Kalaja pati edhe një përplasje e efektivët dhe për shkak të përdorimit të gazitlotsjellës, përfundoi në spital bashkë me Luçiano Boçin, Klevis Balliun e 2 të tjerë.
Gjatë protestës, mbetën të lënduar edhe 5 efektivë të Policisë, të cilët u vizituan në spital nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe vetë kryepolici Hita. Ministri Lamallari tha se dora e krimit që ngrihet mbi njerëzit me uniformë do të marrë përgjigjen e merituar.
EMRAT E TË ARRESTUARVE
Klemend Çuçka (kapur në flagrancë me molotovë)
Bujar Tusha (kapur në flagrancë me molotovë)
Henri Shapllo (kapur në flagrancë me molotovë)
Mirvet Toçilla (kapur në flagrancë me molotovë)
Igball Domi (kapur në flagrancë me molotovë)
Semi Bici (kapur në flagrancë me molotovë)
Bardhyl Ndou
Gentjan Tuga
Edison Shyti
Sokol Bajraktari
Ernest Kapo

