Një vend parkimi prej vetëm 13 metrash katrorë pranë Piazza Navona në Rome është nxjerrë në shitje për 260 mijë euro, duke tërhequr vëmendjen dhe diskutimet e shumë njerëzve online. Nuk është një garazh privat, por një vend për makinë dhe motor brenda një godine rezidenciale.
Edhe pse qendra historike e Romës njihet për mungesën e hapësirave të parkimit dhe çmimet e larta, shumë persona e konsiderojnë këtë shifër të ekzagjeruar, sidomos pasi bëhet fjalë për një vend në garazh të përbashkët dhe jo për një box privat.
Rasti tregon se sa shumë është rritur vlera e hapësirave private në qytetet turistike dhe sa i fortë është bërë tregu i luksit, edhe për nevoja të zakonshme si parkimi.
Për disa, ky është thjesht rezultat i kërkesës së lartë në zonat ekskluzive. Për të tjerë, është një shembull i mënyrës se si çmimet në qytetet e mëdha po largohen gjithnjë e më shumë nga realiteti i përditshëm i shumicës së njerëzve.

