HomeAktualitetBota

Berisha frymëzon Moskën në “luftën” me amerikanët, mediat ruse përdorin qëndrimet e ish-kryeministrit për të sulmuar Blinken

Berisha frymëzon Moskën në “luftën” me amerikanët, mediat ruse përdorin qëndrimet e ish-kryeministrit për të sulmuar Blinken

Sulmet e Sali Berishës ndaj SHBA dhe veçanërisht ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken duket se kanë gëzuar jashtë mase rusët.

Momentalisht ka një krizë të fortë tensioni mes Rusisë dhe SHBA sa i takon Ukrainës. Tensionet po rriten nga dita në ditë dhe palët sulmojnë njëra-tjetrën. Padyshim në këtë konflikt kanë hyrë dhe mediat.

“The MoscowPost” ka shkruar një artikull kundër sekretarit Blinken, ku e sulmon zyrtarin amerikan duke përdorur si shembull edhe qëndrimet e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Mediat e akuzojnë Blinken për lidhje me Soros dhe në këtë aspekt përdorin fjalët e Berishës. “Një nga veprimet më intriguese të Blinken në pozicionin e tij aktual ka qenë vendosja e sanksioneve ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha.

Berisha njihej si kundërshtar i Soros dhe i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur (një organizatë e njohur si e padëshirueshme në Federatën Ruse). Më pas politikani e shpalli Sorosin “persona non grata”. Blinken u përgjigj se Berisha ishte “një zyrtar i korruptuar që minoi demokracinë në Shqipëri” dhe Departamenti i Shtetit e ndaloi atë të hynte në Shtetet e Bashkuara”, theksohet në artikull.

Më tej bëhet e ditur se si Berisha ngriti padi në Francë, ndërsa përmenden dhe qëndrimet e kongresmenit Zeldin. “Berisha ngriti një padi për shpifje, duke akuzuar Uashingtonin për hakmarrje. Gjykata Penale e Parisit pranoi të shqyrtonte çështjen.

Historia e politikanit shqiptar arriti në nivel Kongresi. Republikani Lee Zeldin, një kongresmen nga Nju Jorku, gjithashtu kërkoi që Blinken të jepte prova për korrupsionin e Berishës dhe vuri në dukje se Berisha “ishte kundërshtar i Soros””, theksohet më tej në artikull.

Pra pavarësisht se Berisha pak ditë më parë u mundua të sillej si pro amerikan duke mbështetur SHBA në konfliktin e Ukrainës, përplasjet e tij me Blinken kanë frymëzuar mediat ruse.

Lëvizjet e Berishës

Ish-kryeministri Sali Berisha prej një viti ka nisur një konflikt të fortë me amerikanët. Shpallja e tij “non grata” në maj të 2021 bëri që ai të çonte çështjen në gjykatë dhe nisi një formë rebelimi.

Lëvizja kryesore e Berishës ishte që të largonte Bashën nga kreu i PD, për të treguar një lloj force ndaj SHBA. Ish-kryeministri dështoi me këtë nismë dhe disa herë ka ndryshuar strategji në konfliktin me amerikanët.

Pak ditë më parë i ngriti si shqetësim në Kuvend letrën që Rusia i kishte dërguar Ministrisë së Jashtme. Berisha tentoi të tregonte se është pro amerikan dhe kundër Rusisë. “A po kërcënohet për pushtim një vend sovran?

Çfarë është kjo narko-qeveri dhe ky narko-parlament që nuk thotë një fjalë të vetme. A rrihet në këtë parlament apo jo? Më thoni mua. Jo nuk rrihet. Natyrisht, por jam këtu për t’i shprehur solidaritetin tim të plotë në emër të PD, kombit ukrainas.

Jam këtu për të ngritur zërin, për të ndihmuar Ukrainën që kërcënohet nga një barbari e Kremlinit. Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të ndihmuar këtë vend. Të paktën fishekë dhe municione mund t’u dërgohen atyre, por argati i Beogradit jo më kot hesht. Ju zotërinj deputetë duhet të ngrini zërin se përfaqësoni PD jo Lul Bravën”, tha Berisha.