SHËNIM/ Kur gënjeshtra ka bërë gjysmën e rrugës, e vërteta s’ka lidhur akoma këpucët

SHËNIM/ Kur gënjeshtra ka bërë gjysmën e rrugës, e vërteta s’ka lidhur akoma këpucët

Ka një thënie që i shkon për shtat debatit të ditëve të fundit rreth censurës së supozuar të llogarive të “Revolucionit Flamingo”: Kur gënjeshtra ka përshkuar gjysmën e globit, e vërtetas’ka lidhur akoma këpucët.

Prej disa ditësh, bllokimi i një sërë profilesh në Instagram të asociuara me protestat në Tiranë u paraqit nga njerëz brenda protestës dhe opozita shqiptare, e vjetra dhe e reja, si provë e përpjekjes së qeverisë për të heshtur zërin e tyre në rrjetet sociale, pa sjellë asnjë lloj verifikimi në lidhje me pretendimin e tyre. Sot ‘Meta’ ka pranuar se bllokimi i këtyre profileve ka ndodhur gabimisht.

Në fakt, është i gjithi një refleks që flet qartë në lidhje me protestën dhe një pjesë të opozitës.

Me tkurrjen e pjesmarrësve në shesh, “Revolucioni Flamingo” duket se ka lënë mënjanë protestën politike për t’u përqëndruar gjithnjë e më shpesh tek mbajtja gjallë e një mllefi permanent, ku çdo pengesë duhet paraqitur menjëherë si provë e persekutimit të tyre. Është një pozicion politik i dobishëm sepse i shpëton nga nevoja e proceseve të lodshme të verifikimit të akuzave dhe pretendimeve. Mjafton akuza, pastaj faktet të vijnë kur të vijnë… nëse do të vijnë ndonjëherë.

E gjitha mund kishte shërbyer si një tjetër leksion rreth pabesueshmërisë së mediave sociale, sikur ata të cilët përhapën fillimisht akuzën për censurë të ishin vetëm influencerët dhe profilet anonime të meme-ve në Instagram. Por, në fakt disa prej akuzuesve janë politikanë, të cilët iu kërkojnë çdo ditë shqiptarëve që t’iu besojnë qeverisjen e vendit, çka e bën të gjithë episodin jo edhe aq komik sa mund të mendohet.

Përfaqësues të opozitës dhe të disa prej partive të vogla, nxituan të paraqiteshin si viktima të censurës politike para se të kërkonin një verifikim rreth asaj që ndodhi realisht. Një proces që normalisht, sipas Meta-s, nuk kërkon më shumë se 48 orë për të marrë përgjigje për llogaritë e bllokuara.

Një sjellje e tillë pritet nga një influencer sepse gjithë të ardhurat e tij/saj varen nga prodhimi i zemërimit dhe emocioneve negative, por është shqetësuese kur të njëjtën sjellje e shfaqin edhe politikanë dhë deputetë, të cilët synojnë të jenë një alternativë politike. Kjo sepse qeversja, ndër të tjera, nënkupton edhe manaxhimin e informacioneve të paplota. Institucione e ministra mund të marrin raporte kontradiktore ose jo gjithmonë të plota, duke i detyruar që të marrin vendime edhe në momente kur faktet nuk janë plotësisht të qarta. Tani, nëse instinkti yt politik kur të bllokohet llogaria e Instagramit është të përhapësh teori konspirative para se të bësh verifikimet më elementare, atëherë çfarë duhet të presin votuesit nga ty kur të jesh në pozitë qeverisëse dhe problemi këtë herë të jetë një krizë energjitike, bankare apo një incident i lidhur me sigurinë kombëtare?

Ndonjëherë nuk je aq i rëndësishëm sa të ketë gjithnjë një konspiracion global që të persekuton. Ndonjëherë, teknologjia dhe automatizimi i proceseve të moderimit thjesht dështojnë. E pësojnë të gjithë nga kjo. Por, konspiracioni udhëton gjithnjë shumë më shpejt se e vërteta. Çështja është se ata që duan pushtetin duhet të jenë në gjendje ta bëjnë dallimin mes të dyjave.