Në Gjykatën Administrative po shqyrtohet padia e kryebahskiakut Erion Veliaj, i cili kërkon pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror. Avokati mbrojtës i Veliajt, Plarent Ndreca thotë se Dado nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe se nuk përfitonte nga përjashtimet e parashikuara në legjislacionin e asaj kohe. Pasi, Ndreca tha se Dado nuk ka ushtruar më parë funksionin e gjyqtarit ose të prokurorit, nuk ka punuar jo më pak se tre vjet si pedagog në Shkollën e Magjistraturës ose në Fakultetin Juridik, nuk ka shërbyer si këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridikoprofesionale pranë Kuvendit, Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, Gjykatës së Lartë, Ministrisë së Drejtësisë ose Zyrës së Avokatit të Popullit apo nuk ka ushtruar detyrën e oficerit të policisë gjyqësore, siç e parashikonte neni 18 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca: Një nga kriteret është të ketë mbaruar shkollën e magjistraturës, që ai nuk e ka pasur. Ndërkohë, për emërimet thuhet të ketë punuar tre vite si pedagog, të ketë eksperiencë si këshilltar ligjor, pranë Kuvendit apo Avokatit të Popullit apo Ministrisë së Drejtësisë apo si OPGJ dhe këto profesione nuk janë ushtruar nga Ols Dado. A është Ols Dado prokuror apo jo, këtë duam të dimë?!
Plarent Ndreca: KLP na thotë pas një ankimi se ne nuk jemi kompetentë për një kërkesë që i kanë bërë mbrojtësit ligjorë. Pra këto thonë nuk jemi kompetentë.
Gjyqtari Hazbi Balliu: Pra KLP ka dalë me një akt, a e keni kundërshtuar këtë akt?
Ndreca: Është akt absolutisht i pavlefshëm. Ne kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë.
Balliu: Pse i jeni drejtuar më parë KLP?
Ndreca: KLP rregullon pasojat e një mandati. Mund ta konstatonte, mendojmë ne. Por ata nuk e konstatuan. Kjo nuk na heq të drejtën për të bërë këtë kërkesë në Gjykatë.

