Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët në Detrot të SHBA-ve se sot Shqipëria është një adresë ku mblidhet bota e lirë për të diskutuar për të nesërmen e saj.
Komentet Rama i bëri teksa rikujtoi se Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri, një ngjarje të cilën e cilësoi si të pazakontë.
Më tej kryeministri Rama tha se sot Shqipëria nuk është ai vend që linte zbuluar njerëzit e vet, por mburoja më e mirë e çdo shqiptari.
“Shqipëria është vendi ku do të zhvillohet Samiti i ardhshëm i NATO-s dhe gjithë liderët e aleancës më të fuqishme të njerëzimit do të mblidhen në Tiranë. Sot një shekull pasi Kosta Çekrezi rrëfeu sesi çonte letra për në Shqipëri dhe letrat i ktheheshin pas, sepse Shqipëria nuk ekzistonte as si adresë, do të dëshmonte se sot Shqipëria nuk është më një adresë në hartën e botës, por një adresë ku ndodh që të mblidhet bota e lirë për të diskutuar për të nesërmen e saj. Dhe Shqipëria që dikur trokiste në dyer që nuk i hapeshin, sot nuk pret më në korridor, por është pjesë e të gjitha hapësirave ku duhet të jetë. Shqipëria sot nuk është më ajo që ishte deri dje, vendi që linte zbuluar njerëzit e vet, në vend që t’i mbronte ata. Sot Shqipëria është mburoja më e mirë e çdo shqiptari, një flamur që e respektojnë të gjithë, një identitet.
Sot askush nuk i tregon shqiptarëve fundin e radhës, vetëm sepse janë shqiptarë, por kur dëgjon që janë shqiptarë, i vlerëson, sepse çmon Shqipërinë. Ëndrra amerikane nuk i ka tharë rrënjët shqiptare brenda jush. 100 vite më parë Faik Konica nisi udhëtimin në Uashington, ishte ambasadori i parë shqiptar në SHBA. Edhe pse Ervin Bushati nuk na duket si Faik Konica, ku i dihet si do të cilësohet 100 vite më pas.
Konica qëndroi këtu për t’i dhënë Shqipërisë një zë, një fytyrë, një adresë. Sot, 100 vite më pas, janë qindra mijëra shqiptarët që i japin Shqipërisë fytyrë, zë dhe qindra mijëra adresa. Sot Ervin Bushati e ka më kollaj se Faik Konica. Sepse erdhi apo nuk erdhi Bushati, janë mijëra të tjerë që nuk janë të ngarkuar nga shteti si ambasador, përfaqësojnë më së miri vendin tonë”, tha mes të tjerash Rama.

