Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj Ervin Matës, i dyshuar si drejtues i një grupi kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.
Pas rreth tre vitesh veprime hetimore, SPAK ka ngritur ndaj Matës akuzat për “Trafikim të narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit, atë të “Grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. Hetimet janë kryer nga shefi i Seksionit për Krimin e Organizuar në SPAK, Vladimir Mara.
Ervin Mata u arrestua në prill në Ilha Bela të Brazilit. Ai përdorte dokumente angleze, të vlefshme deri në 2030, për t’iu fshehur autoriteteve pasi nda tijj ishte lëshuar një urdhër-arrest nga Gjykata e Lartë Federale e Brazilit. Shteti shqiptar kërkonte arrestimin e tij që nga viti 2023.
Në vitin 2023, Ervin Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal me 11 persona, ku përfshihej edhe djali i ish-zyrtarit të policisë, Erzen Breçani. Sipas dosjes hetimore, të cilën në atë kohë Report Tv e siguroi, grupi dyshohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Në veçanti, Mata akuzohet se koordinoi grupin për trafikimin e 250 kilogramëve kokainë, ngarkesë e nisur nga Brazili në aeroportit të Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2020.
GJKKO caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” trafik droge, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale, dhe kjo si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ervin Mata është i njohur për drejtësinë shqiptare edhe pas përplasjes së bujshme me Ervis Martinajn, i zhdukur prej gati 4 vitesh, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja ish-bosit të lojërave të fatit.

