HomeAktualitetDiaspora

Gruevski strehohet në vilën e kryeministrit Orban?

Gruevski strehohet në vilën e kryeministrit Orban?

Pasi u arratis në Budapest, ku kërkoi azil politik, ish-kryeministri Nikolla Gruevski mendohet se gjendet në vilën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e televizionit 1TV, e cila po qëndron në Budapest. Viktor Orban njihet si mbështetës dhe aleat i Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE.

Ai e ka shprehur hapur mbështetjen ndaj partisë opozitare maqedonase gjatë periudhës që ishte në pushtet, por edhe tani në opozitë, kur vetë Orban mbërriti në Shkup në zgjedhjet e fundit lokale për të shprehur mbështetjen për VMRO-DPMNE-në.

Ish-kryeministri i Maqedonisë është dënuar me 2 vite burg për shpërdorime financiare. Ai e ka kundërshtuar vendimin, duke thënë se po përndiqet politikisht dhe se po shantazhohet për të votuar Marrëveshjen për Maqedoninë e Veriut.

Gruevski është shpallur fajtor nga gjykata për blerjen e Benzit 600 mijë euro. Mbrëmjen e së hënës, policia nuk arriti ta arrestonte Gruevskin.

Policia ka dështuar disa herë në përpjekjet për ta gjetur ish-kryeministrin e dënuar. Megjithatë, ministri i Brendshëm, Oliver Spaskovski, thotë se përgjegjësinë për këtë dështim duhet ta marrë gjykata, për shkak se nuk caktoi masën e paraburgimit.