HomeAktualitet

Amfiteatri pranë liqenit merr emrin “Mirush Kabashi”

Amfiteatri pranë liqenit merr emrin “Mirush Kabashi”

Amfiteatri pranë Liqenit Artificial mori zyrtarisht emrin “Mirush Kabashi” në nder të aktorit të madh të teatrit dhe kinemasë.

Kjo hapësirë do të mbajë emrin e artistit që i dha shpirt fjalës me interpretimin e rrallë në skenën shqiptare.

Mendi Kabashi, vajza e aktorit të madh Mirush Kabashi, ka folur për përmbylljen e një misioni që, sipas saj, merr formën më të bukur, përjetësimin e figurës së të atit përmes teatrit.
Ajo u shpreh e përmalluar për babain e saj, i cili ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2023, duke theksuar se Mirush Kabashi arriti të depërtonte në zemrat e kujtdo që pati fatin ta njihte si në jetë, ashtu edhe në skenë.

‘Ai kishte aftësinë të nxirrte dritën në mes të errësirës, të bukurën në mes të shëmtisë, vlerat në mes të antivlerave, mirësinë në mes të urrejtjes dhe aftësinë në mes të paaftëve. Për Mirushin, skena ishte oksigjeni dhe publiku ishte kënaqësia e tij e madhe’, tha Mendi Kabashi.

Kolegët kujtuan kontributin e jashtëzakonshëm që Mirush Kabashi la në artin dhe kulturën shqiptare.
Driada Dervishi, regjisore u shpreh: Mirushi nëpërmjet të gjithë këtyre roleve dhe të gjithë trashëgimisë artistike, tashmë ka një mundësi tjetër të jetë i pranishëm, përmes kësaj hapësire.
Mes qindra roleve, mbahet mend për rolin e Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”, që krahas Shqipërisë, e interpretoi në skenat më të njohura ndërkombëtare.
Aktori Alfred Bualoti tha: Sokrati i Mirushit do të mbesë në kohëra, sepse kjo magji e transformimit te ky artist ishte në majat më të larta, ishte ajo që duhej, ishte ajo që prekte.

Për organizatorët, ky fillim i ri për amfiteatrin pranë Liqenit është vazhdim i trashëgimisë së paharrueshme të “Nderit të Kombit”. A.K./TemA