Braçe: Në thesar nuk fut dot dorën kushdo, s’i vë dot kush shkelmin parave të shqiptarëve! KLGJ dhe KLP duhet t’u kërkojnë urgjentisht ndjesë deputetëve për veprimet antikushtetuese, ligjërisht të “kallëzueshme”

Braçe: Në thesar nuk fut dot dorën kushdo, s’i vë dot kush shkelmin parave të shqiptarëve! KLGJ dhe KLP duhet t’u kërkojnë urgjentisht ndjesë deputetëve për veprimet antikushtetuese, ligjërisht të “kallëzueshme”

Erion Braçe, vijoi me kritikat ndaj KLGJ dhe KLP për vendimet për pagat e magjistratëve. Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Braçe tha se askush që nuk është i autorizuar me ligj nuk mund të vendosë për paratë e Thesarit të Shtetit.

“Në qoftë se gjithkush në këtë vend, që ka një fuqi në dorë, do të dalë nesër e të thotë “i dua të ardhurat e mia” kaq, kjo i vë shkelmin parave të shqiptarë. Ata janë paratë e taksapaguave shqiptarë. Përgjegjshmëria duhet të vijë nga këtu dhe jo nga fuqia për të detyruar. Nëse ndjek rrugën e fuqisë, natyrisht që i vëmë shkelmin shteti.

Ka qenë vullneti ynë politik, që ata të paguheshin edhe shumë më mirë se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Në hierarkinë e pagave janë shumë më lart. Në thesarin e shtetit nuk fut dorën kurrkush që nuk është ia autorizuar nga ligji.

Kemi kohë që nuk kemi rënë në kriza të forta pikërisht prej kësaj, sepse nuk ka më fut dorën dhe ik. Disiplina fiskale është themelore për shtetin. A mban më ky vend të hyjë në një krizë ekonomike dhe financiare? Unë mendoj që nuk mban. Duke ruajtur se kush pozicionin e vet, mendoj se ai dalim”.

Braçe tha se përfaqësuesit e dy institucioneve duhet të paraqiten para deputetëve dhe t’u kërkojnë ndjesë për marrjen e një kompetence që Kushtetuta ia njeh vetëm Kuvendit.

Ai argumentoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i ngarkon KLGJ-në dhe KLP-në të caktojnë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ia lë këtë detyrë Parlamentit. Për këtë arsye, ai e cilësoi aktin e dy institucioneve si pa bazë ligjore dhe madje “të kallëzueshëm” ku nënkupton se mund të kallëzohen penalisht për shpërdorim detyre duke marrë kompetencat e një pushteti tjetër si është Parlamenti madje deri në akuzë për grusht shteti në një Republikë Parlamentare siç është vendi ynë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i kërkon KLGJ-së dhe KLP-së të caktojë rrogën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. I kërkon Parlamentit”, deklaroi Braçe.

Ai u ndal edhe te kallëzimet e bëra ndaj ministrit të Financave dhe drejtuesve të Thesarit për moszbatimin e kërkesave për pagat, duke i cilësuar veçanërisht ato ndaj administratës së Thesarit si të paprecedenta.

“Është një akt vetëgjyqësie i pandodhur në këtë vend”, tha Braçe.