HomeAktualitetDebat

Burri doganier, gruaja kryetare e degës së PD-së, shpërthen ish-deputeti: Me këto “luftarake” do e rrëzojë PD-ja Ramën?

Burri doganier, gruaja kryetare e degës së PD-së, shpërthen ish-deputeti: Me këto “luftarake” do e rrëzojë PD-ja Ramën?

Tensione dhe debate në selinë blu, Edmond Spaho demaskon besniken e Berishës, zbulon se burrin e ka drejtor dogane dhe vetë është kryetare e Degës së PD në Tiranë

Ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale ndaj kryetares së Degës nr.9 të PD në Tiranë, Eda Grimçi, duke e akuzuar këtë të fundit se është e kompromentuar në raport me pushtetin. Sipas tij, Grimçi, e cila njihet si besnike e Sali Berishës drejton degën e PD në Tiranë dhe akuzon nëpër studio televizive demokratët që kritikojnë lidershipin e Sali Berishës, ndërkohë që bashkëshorti i saj, Eugent Grimçi, është i punësuar në Doganën e Tiranës. “Po kur ke burrin drejtor dogane dhe vete je kryetare dege e PD si quhet? Dhe si pushon goja por leh gjithe ditën ne FB dhe studio televizive, duke akuzuar kritiket për gjendjen ne PD, si bashkëpunëtorë të Ramës?”, shkruan ish-deputeti Edmond Spaho.

Eugent Grimçi, rezulton i punësuar në Doganën e Tiranës

Prej kohësh, veterani demokrat dhe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Sali Berishës për vite me radhë, e akuzon këtë të fundit se duhet “të hapë krahun” për të rinjtë dhe të lejojë riorganizimin e Partisë Demokratike. “Me keto “luftarake” do e rrezoje PD Ramen?”, vijon Edmond Spaho, duke përmbyllur reagimin e tij për kryetaren e Degës nr.9 të PD në Tiranë, Eda Grimçi.

Postimi i ish-deputetit Edmond Spaho

Spaho komenton situatën në PD

Ndërkohë disa ditë më pare ish-deputeti i PD, Edmond Spaho për situatën aktuale në parti që është në prag të zgjedhjes së kreut të ri tha se “Në PD ka rënë një sëmundje e madhe që duhet të kurohet urgjentisht”. Spaho theksoi se Sali Berisha nuk do të lejojë askënd tjetër të jetë alternativë në zgjedhjet e brendshme që do të mbahen më 23 maj, e mandej shton se kushdo që flet një fjalë kundër, e sheh veten te dera.

Ky është edhe rasti i Ervin Salianjit, i cili edhe pse i “vetëpërjashtuar” siç thotë Berisha, do të kandidojë për të marrë drejtimin e PD. “Edhe kjo praktikë synon të kontrollojë procesin zgjedhor, që të ketë njerëz që t’i japin urdhra, të jenë besnikë. Pse nuk duhet ta lejosh të kandidojë dikush që plotëson kushtet e statutit. Nëse plotëson kushtet bazë, hidhi në garë dhe vota ta vendosë se kush do të zgjidhet.

Spaho hedh si hipotezë dhe daljen në skenë të “Lulëzim Basha numër 2”, i vetmi opsion ku Sali Berisha mund të heqë dorë nga drejtimi i PD dhe të vendosë në krye paardhësin e tij. “Nuk po lejohet, synohet të ketë një zgjidhje unanime ku kandidati i vetëm do të jetë Berisha me probabilitetin më të madh, por nuk habitem sikur ditën e fundit të dalë ndonjë Lulëzim Basha 2, ndoshta edhe heq dorë dhe vë mëkëmbësin e tij. Problemi është i vogël, por s’do të habitesha”, tha ish-deputeti i PD.

Ndër të tjera Spaho thotë se Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet me këtë gjendje aktuale sot. Protestat e opozitës nuk frymëzojnë e nuk kanë fuqi për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Përsa i përket qëndrimit të gjatë në opozitë, Spaho tha se deputetët e opozitës ndihen komod me atë status ndërsa një tjetër “justifikim” është dhe pritja e radhës (sipas moshës) për të marrë drejtimin e partisë. “S’ka rëndësi se çfarë them unë, ka rëndësi se çfarë po ngjet në terren. Protestat tregojnë që PD nuk ka fuqi të vijë në pushtet. Po nuk arrite të ngresh të gjithë popullin, ta ndërgjegjësosh, të krijosh frymë, s’ke për ta hequr Ramën.

Mesa duket një grup deputetësh ndihen komod me të qendurit deputetë dhe presin kur të vijë koha që të dalë pasardhësi i Berishës, pasi vjen edhe një kohë që është mosha biologjike, thonë të presim kur të na vijë radha ne që të marrim partinë”, nënvizoi Spaho. PD ka 3 kritere për pranimin e kandidaturave për kreun e partisë. Përveç profilit shumë të lartë politik dhe mbajtjes së pozicioneve drejtuese, një tjetër është dhe ndalimi i kandidimit nëse personi është i dënuar me vendim të formës së prerë. Ky kriter i fundit përjashton automatikisht nga gara Ervin Salianjin.