Një protestë solidarizuese në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbahet të martën në Tiranë, pas tensioneve të krijuara lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe protestave të zhvilluara së fundmi në Shkup.
Protesta është paralajmëruar nga aktivisti Mevlan Ademi përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ai ka bërë thirrje për mobilizim dhe mbështetje ndaj kërkesave të studentëve shqiptarë.
“Zëri ynë nuk do të ndalet, ashtu siç nuk do të ndalet as kërkesa jonë pa kompromis për zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Më 26 maj mblidhemi në Tiranë në orën 17:00 dhe pas saj në Prishtinë, e më pas, bashkë si ‘të paedukatë’ që na quajnë, do të rikthehemi sërish në Shkup, kësaj here para Qeverisë që shkel mbi të drejtat tona me arrogancë. Ne nuk do të zmbrapsemi. Ne nuk do të heshtim. Gjuha shqipe nuk negociohet”, shkruan Ademi.

