HomeBota

Hantavirusi/ Anija turistike Hondius mbërrin në portin spanjoll, gjithçka gati për zbarkimin e pasagjerëve

Hantavirusi/ Anija turistike Hondius mbërrin në portin spanjoll, gjithçka gati për zbarkimin e pasagjerëve

Në portin industrial të Granadillës gjithçka është gati për një nga operacionet më komplekse që ishulli i Tenerifes mban mend. Po shkon drejt përfundimit odiseja e anijes turistike Mh Hondius, në të cilën është përhapur një vatër hantavirusi, që ka shkaktuar tre viktima (një trup i pajetë ndodhet ende në bord) mes 151 pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, me gjithsej 23 kombësi të ndryshme. Anija, e shoqëruar nga një mjet i Guardia Civil, është ankoruar pranë molit në zonën juglindore të ishullit në Oqeanin Atlantik.

Operacioni masiv i sigurisë, i organizuar nga qeveria spanjolle në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke kapërcyer kundërshtimet e administratës lokale që ishte shprehur kundër zbarkimit për të mbrojtur popullsinë e Ishujve Kanarie, parashikon që Mh Hondius të mos prekë kurrë tokën: ajo do të mbetet e ankoruar larg bregut, brenda portit të Granadillës, në një zonë të konsideruar të sigurt, ndërsa gjatë gjithë operacioneve të zbarkimit është ndaluar çdo lundrim në një distancë më të vogël se një milje detare nga anija.

Si hap i parë, personeli mjekësor do të ngjitet në bord për të kontrolluar gjendjen shëndetësore të pasagjerëve dhe për të verifikuar nëse ka persona me simptoma. Në atë rast, të sëmurët do të evakuohen menjëherë me fluturime mjekësore. Për të gjithë të tjerët, vetëm nëse fluturimet sanitare të riatdhesimit të organizuara nga vendet e përfshira do të jenë gati në aeroportin Tenerife Sur, transporti drejt bregut do të kryhet me mjete lundruese Zodiac. Prej andej, autobusë specialë do të përshkojnë dymbëdhjetë kilometrat që ndajnë portin nga aeroporti.

Zbarkimi do të organizohet sipas kombësive: të parët që do të zbresin do të jenë 14 qytetarët spanjollë — gruaja nga Alicante që kishte pasur kontakt me holandezen e vdekur ka rezultuar negative në test — për të cilët qeveria ka vendosur një izolim prej të paktën shtatë ditësh. Qeveria holandeze ka bërë të ditur se 13 pasagjerët e saj do të kryejnë një karantinë gjashtëjavore në banesat e tyre. 22 britanikët do të izolohen në një spital, ndërsa pesë qytetarë francezë do të riatdhesohen që sot me një fluturim sanitar.

Për të gjithë, OBSH rekomandon një monitorim prej 42 ditësh. Pasagjerët nuk do të mund të marrin me vete valixhet, por vetëm telefonat celularë dhe dokumentet, ndërsa të gjithë do të duhet të mbajnë maska FFP2.

Pas përfundimit të operacioneve të zbarkimit, anija holandeze Mh Hondius do të vazhdojë rrugën drejt Holandës, ku do t’i nënshtrohet proceseve të dezinfektimit. Pavarësisht aparatit të madh të sigurisë, OBSH ka vazhduar të qetësojë popullsinë. Drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i mbërritur dje në Granadilla së bashku me ministrat spanjollë të Brendshëm dhe të Shëndetësisë për të koordinuar protokollin, kujtoi se rreziku i infektimit për banorët e Tenerifes mbetet “absolutisht i ulët” dhe se, pavarësisht shqetësimit, “kjo nuk do të jetë një tjetër Covid”.

Duke falënderuar Spanjën për “punën e jashtëzakonshme”, drejtori i OBSH-së ishte takuar më herët me Pedro Sánchez në Madrid, përpara nisjes drejt Ishujve Kanarie. Kryeministri spanjoll mbrojti vendimin e diskutueshëm për të pranuar anijen e infektuar, duke shpjeguar se “Madridi do të jetë gjithmonë pranë atyre që kanë nevojë për ndihmë”. Më pas ai kujtoi se “ofrimi i një porti të sigurt është një detyrim moral dhe ligjor”./ La Repubblica