HOSTENI/ Sekretet tona, muhabete pazari

HOSTENI/ Sekretet tona, muhabete pazari

Nga Bato Bregu

Në Shqipëri ka lindur një kategori e re sekreti: sekreti që bëhet publik sapo e pyet gazetari. Nuk ka nevojë për spiun, kamera të fshehta, hakerë apo agjentë të huaj. Mjafton një mikrofon, një pyetje e Lala-s dhe… hapet thesari i informacionit shtetëror.

Nëse informacioni i bërë publik nga shefja e SHISH-it ishte vërtet sekret i shërbimit, atëherë kemi parë një mrekulli administrative: institucioni që duhet të ruajë sekretet, po i nxjerr vetë në ajrim.
Pyetja e gazetares Lala bëhet çelësi. Përgjigjja bëhet kasaforta e hapur. Dhe sekreti del nga zyra me këmbët e veta, hipën në televizor dhe ulet në prime time.

Kjo nuk është më inteligjencë. Është inteligjencë me altoparlant.
Në Shqipëri, informacioni konfidencial nuk kalon më nga kanalet sekrete. Kalon nga kanali televiziv. Nuk dekonspirohet nga agjentët e huaj, por nga konferenca e shtypit.

Madje mund të propozojmë edhe një reformë: të hiqen kasafortat e SHISH-it dhe të vendosen frigoriferë me xham. Të gjithë ta shohin sekretin, por askush të mos e prekë.

Sepse këtu sekreti shtetëror ka marrë statusin e qepës së pazarit: peshohet, komentohet, kalon dorë më dorë dhe, në fund, të gjithë betohen se nuk e dinë nga erdhi.
Dikur thuhej: “Shteti ka sekretet e veta.”

Sot duket se shteti ka vetëm një sekret: pse ende i quan sekrete ato që i merr vesh gjithë dynjaja.
Nuk ka nevojë për përgjime, nuk ka nevojë të verifikosh nxjerrjen e sekretit shtetëror. Mjafton vetëm atë që i tha Lalës dhe duhej ndaluar në vend…

Marrë nga Hosteni.