Ilir Meta ka dorëzuar një kërkesë të re në Gjykatën e Posaçme për zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ në një masë më të lehtë sigurie.
Meta ka ofruar 50 mijë euro garanci pasurore, në këmbim të vendosjes ndaj tij të një mase më të lehtë sigurie.
Meta kishte ofruar edhe më herët garanci pasurore prej 50 mijë eurosh në GJKKO, për lënien e qelisë, kërkesë e cila iu refuzua nga Gjykata e Posaçme.
Avokati Kujtim Cakrani ka reaguar lidhur me kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj presidentit të PL, Ilir Meta, e cila është dorëzuar këtë të mërkurë në gjykatë.
Cakrani është shprehur për gazetarët se në kërkesë është parashikuar një garanci e konsiderueshme financiare, duke përmendur shumën prej 50 milionë lekë, si dhe vendosjen në dispozicion të pasurive të paluajtshme.
“Po, po 50 dhe pasuri të paluajtshme, ‘çifligun’ që është më shumë”, u shpreh ai, duke nënvizuar se garancia e propozuar tejkalon vlerën e shumës së përmendur.
Ish-presidenti mbahet në burg që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.
Dosja ndaj tij dhe ish- bashkëshortes Monika Kryemadhi, tashmë ka kaluar për gjykim në themel.

