Aktori i njohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Viktor Zhusti, ka renditur si rolin më të mirë të tij atë të Jahos tek “Malet me blerim mbuluar”, partizanit që ishte i dashuruar me Lilon e plagosur, së cilës iu përbëtua mes dhimbjesh se do e marrë nuse dhe që e mbajti fjalën, edhe kur ajo, Liloja mbeti vetëm me një këmbë.
“Është film i menduar fort mirë dhe i xhiruar bukur. Ka konflikt real dhe të besueshëm”, tha aktori i njohur.
Zhusti ishte i ftuar për një rrëfim në Top Channel, por ku sërish pjesa më e pasqaruar mbeti një episod i përfolur nga jeta private, ajo e një dënimi në Greqi vite më parë, i implikuar në një aferë droge.
Zhusti, me baba shqiptar e nënë greke, ishte ndër të parët artistë shqiptare që e transferoi jetën e tij në shtetin fqinj, në vitet e para ’90. Ai do kthehej në Shqipëri aty nga viti 2006, për t’u angazhuar fuqishëm artistikisht, siç dhe është, pavarësisht moshës.
Zhusti tha më tej se ishte një zbulim i të madhit Prokop Mima.
“Në Gjirokastër kishte ardhur Prokop Mima për një shfaqje. Kërkonte një djalë “rrugaç” për një rol dhe unë isha i tillë. Ma besuan mua atë rol e më pas më propozoi të shkoja në Lice. Kështu nisi karriera ime”, tha aktori i një karriere që ende nuk po ka të sosur tek ai. /tesheshi.com/