Monika Kryemadhi ka zbuluar për herë të parë detaje në lidhje me ndarjen nga ish-bashkëshorti Ilir Meta.
Ajo akuzoi ish-kryeprokurorin e SPAK Altin Dumanin se futi përçarje mes tyre, duke krijuar idenë se Kryemadhi tradhtonte Metën.
Sipas saj, ata kishin zbuluar mesazhe që Kryemadhi kishte shkëmbyer me një numër të regjistruar me emrin “Zemra ime”. Por sipas Kryemadhit, ai në fakt ishte Ilir Meta.
“Nuk mund të mohoj 30 vite jetë, kanë qenë vite shumë të bukura, kemi kaluar shumë sfida, beteja që disa i kemi fituar e disa jo. Edhe kjo që jam, jam edhe falë Ilir Metës. Ai ishte një bashkëshort tolerant që më lejonte të bëja çfarë të doja.
A kam patur unë probleme të tjera? Po. Ne në jetën tonë 33-vjeçare, kemi bërë vetëm 8 herë pushime së bashku si familje. Jam penduar që nuk e kam harxhuar kohën për familjen dhe fëmijët e mi por e kam përdorur për të tjerët. Kam disa pengje. Por ama nuk pendohem për asgjë.
Tani ndjej respekt për të dhe inat me veten time që SPAK-u dhe Altin Dumani përdorën metodologjinë e Sigurimit të Shtetit për të futur një konflikt mes bashkëshortëve, duke më cilësuar bashkëpunëtore të shtetit. Manipulimi që është bërë ka qenë shumë i shëmtuar dhe jonjerëzot. Por çfarë të mbjellësh do korrësh.
Ne nuk kemi patur asnjë problem mes nesh. Ata i kanë çuar fillimisht informacion Ilir Metës se në telefonin tim kishin zbuluar që unë kisha të dashur. Tani që të kesh të dashur, duhet të kesh kohë. Meta në atë kohë jetonte në vend tjetër dhe unë dëgjoja bisedat e njerëzve që ulen në tavolinë me të se unë kisha të dashur.
Metës i kanë çuar të printuara mesazh që unë kisha me Metën dhe bisedën e kisha shënuar me emrin ‘Zemra ime’. Ai nuk i mbante mend mesazhet. Pastaj në gjyq doli që numri ishte Ilir Meta. Nuk e kam parë reagimin që pati kur ndodhi kjo sepse nuk më intereson reagimi i tij. Stafi i tij më akuzoi se unë dhe nëna ime kemi përdorur emrin e tij. Është krijuar perceptimi se në 2009 Meta ka marrë para që ia ka dhënë nënës time dhe ajo bleu shtëpi. Pastaj CEZ-DIA u bë në vitin 2011.”- tregoi ajo.

