Administratori i inceneratorit të Elbasanit (Eco-Elb), Leli Kaja, është vënë në prangat e Policisë, pas një operacioni me urdhër të SPAK dhe të ndjekur edhe nga agjentët e BKH.
Përmes një njoftimi, SPAK bën të ditur se Leli Kaja u prangos në flagrancë, pas dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Po ashtu, përmes njoftimit SPAK bën të ditur se gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara. Burime për Report Tv bëjnë me dije se BKH i dha 400 mijë lekë administratorit të firmës private që t’ja dorëzonte Leli Kajës, lekë të cilat iu gjetën administratorit të ‘ECO-ELB’.
Sipas SPAK, nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Kaja ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrolleve, Leli Kajës iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur e parave, ndërkohë hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
‘Eco-Elb’ është në pronësi të 7 bashkive të qarkut të Elbasanit. Leli u emërua administrator në 20 tetor të vitit 2022 dhe u rikonfirmua në detyrë në 3 nëntor të vitit 2025, për një tjetër mandat 3-vjeçar.
Njoftimi i SPAK:
SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

