HomeHumor

Muli shpjegon pse e ktheu protestën në marshim

Muli shpjegon pse e ktheu protestën në marshim

Edhe pse u paralajmërua si revolucion paqësor i armatosur, protesta e së premtes përfundoi në marshim. Lelo i kërkoi Mulit arsyet përse u ndryshua plani.
– E bëmë se na provokoi kryepolici, – tha Muli. – Tha mos lëvizni nga vendi ku e kemi caktuar. Atëherë vendosëm që të mos rrimë në një vend dhe vetëm të lëvizim.
– Kjo qenka arsye e fortë, – tha Lelo. – Kështu e kemi suksesin e garantuar që në fillim, pasi kemi gjunjëzuar policinë me mosbindjen tonë.
– Jo vetëm kaq, – tha Muli, – por kemi vizatuar se cili është vendi ynë në Tiranë. Vendi ynë është gjithë Tirana, kudo që ne shkelim. Pra praktikisht kemi fituar edhe territor, edhe moral të lartë kryengritës.
– Mendoj se është zgjidhje e duhur, – tha Lelo, – se ngaqë është edhe ditë shiu njerëzit nuk rrijnë në një vend se ftohen, por kanë mundësi të lëvizin dhe të ngrohen nga ecja. Kështu mund të përdorin edhe çadrat dhe të mbajnë distancë me njëri-tjetrin që të duken sikur janë shumë.
– Patjetër, – tha Muli. – Dhe atë e kam menduar. Edhe ajo është një nga arsyet. Arsyeja tjetër është grupi i molotovëve. Duke qëndruar në një vend, ata identifikoheshin nga policia dhe arrestoheshin pa filluar t’i hidhnin. Kështu kemi mundësi t’i shpërndajmë në turmë dhe nuk identifikohen. Secili e ka të caktuar institucionin ku do hedhë molotovët dhe pasi e hedh, largohet drejt shtëpisë që mos ta kapin.
– Shumë mirë, – tha Lelo. – Më në fund policia do kapet e papërgatitur nga skenari dhe do ta kuptojë çdo të thotë revolucion paqësor i armatosur.
– Jo vetëm kaq, – tha Muli, – por për herë të parë ne do shpallim çlirimin e Tiranës kudo që shkel këmba jonë. Çdo gjurmë e marshimit të sotëm është çlirim i Tiranës. Dhe harta e çlirimit të Tiranës do zgjerohet protestë pas proteste, duke shkuar nga qendra në periferi derisa të vijë dita që ne të festojmë çlirimin e plotë të saj, duke e shkelur çdo rrugicë me protestues. Pastaj le ta mbajnë pushtetin po të duan, rëndësi ka që ne kemi çliruar çdo rrugicë të Tiranës.
– Kam edhe një ide tjetër për herën tjetër, – vazhdoi Muli me një zë misterioz. – Do t’u themi njerëzve të ecin mbrapsht.
– Mbrapsht? – pyeti Lelo i habitur. – Pse kështu?
– Është strategji taktike, – shpjegoi Muli duke fërkuar duart. – Nëse ecim mbrapsht, policia nuk do ta marrë vesh kurrë nëse po sulmojmë apo po tërhiqemi. Do t’i lëmë në konfuzion total. Ndërkohë që ata mendojnë se po ikim, ne praktikisht po i pushtojmë territorin nga pas.
– Geniale! – thirri Lelo me entuziazëm. Kështu nuk na lodhen as qafa duke parë pas nëse po na ndjekin.
– Pikërisht, – pohoi Muli. – Dhe në fund, kur të arrijmë në periferi, do të shpallim se Tirana nuk u çlirua me marshim, por me “prapashmangie strategjike”.