Nga Anri Bala
Arben Kraja u ballafaqua në një debat me kolegët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët me pyetjet që i drejtuan treguan se ishin të paqartë dhe të pa bindur për sjelljen dhe drejtimin e tij të strukturës së SPAK.
Gjithçka që Arben Kraja ka raportuar sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për punën e vitit të kaluar ishte më shumë se një justifikim, aspak ligjore dhe me tendenca të tensionuara debati.
Mburrja se kishte sekuestruar 70 milion euro kriminale, ishte një nga gënjeshtrat më të mëdha të Arbenit.
Kjo vlerë, për ato që nuk e dinë, ka brenda edhe inceneratorët por edhe kantinën e verës së Lefter Kokës, Televizionin Ora të Ylli Ndroqit e dhjetëra sekuestro preventive, që nuk i japin askujt të drejtë t’i përdori, pa një vendim gjykate të formës së prerë.
Të gjitha këto prona që Kraja pretendon se i ka sekuestruar, janë një gënjeshtër dhe mburrje prej deliranti, e me që u fol për gënjeshtrën, kreu i SPAK gënjeu publikisht kur deklaroi se: “Nëse më gjeni një rast të vetëm se janë arrestuar persona si grupe kriminale dhe janë dënuar për shpërdorim detyre, unë jap dorëheqjen!”
Të gjitha rastet e procedimeve dhe arrestimeve të Benit të Lalzit, nuk janë as shpërdorim detyre por janë vepra që hetohen nga auditi i KLSH-së… shkelja e barazisë në tendera. Të gjithë personat e dënuar nga gjykata me dosje të SPAK si Saimir Tahiri, Rovena Voda, anëtarët e komisionit të tenderimit të uniformave të policisë, janë dënuar për shpërdorim detyre, megjithëse janë arrestuar me bujë.
Askund nuk ekziston një masë e vetme nga gjykata, që këta “grupe kriminale” duhet t’i kthejnë shtetit paratë, që i kanë vjedhur, sepse SPAK nuk ka gjetur asnjë provë apo fakt… se ato kanë vjedhur.
Ndaj Zoti Kraja, e the mirë, se do presim deri sa të mësojnë djemtë e BKH-së, me që janë ende pa përvojë dhe të rrasim sa më shumë njerëz me faj apo pa faj brenda në burg, që t’i tregojmë amerikanëve se ne po punojmë dhe paratë dhe besimin e meritojmë.
Tepër me vlerë deduksioni i anëtares së KLP, Nurien Seiti, e cila i’u kujtoi edhe njëherë, se duhet të zbrisni me këmbë në tokë: “Prokurorët e SPAK-ut, nuk mund të pretendojnë se janë më të mirët e Republikës. Ka magjistratë e prokurorë të tjerë të shkëlqyer, që as që i afroheni. Prokurorët e SPAK-ut vetëm guxuan të konkurrojnë për atë strukturë.”
Ndaj edhe njëherë dalim aty ku na djeg dhe ku na dhemb. Meqë pyetjes së Tartar Bazes, se a i’u duken të drejta aksionet e policisë për grupe të strukturuara kriminale, që kanë përfunduar në shpërdorim detyre i’u përgjigjët, se SPAK nuk ka nisur asnjë hetim për shpërdorim detyre, e nëse ju më thoni një rast unë jap dorëheqjen…. ne na rezultojnë disa. A mund të na thoni: Kur do e jepni dorëheqjen, që qytetarët mos t’i u etikojnë edhe si….mashtrues? /Ekskluzive.al