Kryeministri Edi Rama ndodhet sot, 13 korrik, në Paris ku me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, është pjesëmarrës në Samitin e Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën.
Në profilin e tij në facebook, Rama ka postuar disa fotografi nga takimi me Macron dhe të tjerë krerë shtetesh pjesëmarrës, në virgjilje të Paradës së Madhe Ushtarake të 14 korrikut.
Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në këtë samit riafirmon angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e palëkundur të vendit tonë në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët euroatlantikë.
Agjencia per Mediat dhe Informimin njoftoi se, më 14 korrik 2026, po me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e Festës Kombëtare të Francës.
Kjo është vizita e dytë brenda një muaji e kryeministrit Edi Rama në Paris. Më 22 qershor të 2026, Rama u prit në Pallatin Presidencial Elysee, për një takim kokë më kokë me kreun e shtetit francez, Emmanuel Macron.
Çështjet për të cilat u thirr ky takim lidhen me procesin e negociatave, ecurinë dhe sfidat me të cilat duhet të përballet vendi ynë, deri në anëtarësimin e plotë, por dhe për një partneritet në sektorë si energjitika dhe mjedisi apo disa investime të pritshme franceze në vendin tonë.
Kujtojmë se pas vizitës së tij në Francë, kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në Konferencën e radhës Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian për mbylljen e 3 kapitujve të parë në kuadër të procesit të integrimit.

