Prej disa ditësh, shtypi grek është ngritur i gjithi në këmbë për një nga investimet më të mëdha që pritet të realizohet në Zvërnec të Vlorës, me një vlerë të pretenduar prej rreth 4 miliardë eurosh – një shifër rekord për historinë e shtetit shqiptar.
Mediat greke kanë reaguar gjerësisht ndaj këtij projekti, duke i bërë jehonë edhe protestave të zhvilluara kundër tij. Në disa raportime, është përmendur edhe pretendimi se Zvërneci lidhet me interesa të minoritetit grek, çka ka shtuar debatin publik.
Por pse ka kaq shumë interes dhe shqetësim për këtë projekt?
Sipas mbështetësve të investimit, në Vlorë pritet të realizohet një projekt turistik i përmasave të mëdha, që synon ta pozicionojë Shqipërinë në segmentin elitar të turizmit dhe hotelerisë luksoze.
Në Zvërnec është folur për marrëveshje me marka prestigjioze hotelerie, të cilat, sipas deklarimeve publike, përfshijnë “Mandarin Oriental”, “Atlantis”, “Rosewood”, “AMAN Hotel” dhe “Cheval Blanc”, të konsideruara ndër emrat më të njohur në industrinë globale të mikpritjes.
Ky fakt u përmend edhe nga kryeministri gjatë një konference për shtyp, ku deklaroi se investitorët kanë marrëveshje me këto marka ndërkombëtare dhe se projekti mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e turistik të zonës.
“Investitorët kanë marrëveshje me “Mandarine Oriental”, “Atlantis”, “Roswood”, “AMAN Hotel’’ dhe “Cheval Blanc”, është brandi më ekskluziv sot i cili është në Paris, është në Venecia, do vijë dhe në Vlorë, nëse së bashku do t’ia sigurojmë mirëseardhjen, nëse do vazhdoni dhe ca ditë kështu, atëherë e dini çfarë do ndodhë? Do ndodhë tragjedia e Porto Montenegros, po në përmasa të kësaj kohe”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Debati rreth këtij investimi vijon, mes atyre që e shohin si një mundësi të madhe zhvillimi për Vlorën dhe Shqipërinë, dhe kritikëve që kërkojnë më shumë transparencë, diskutim publik dhe garanci për ndikimin në zonë.

