Nga Adriatik Doçi
Bota ka parë politikanë të korruptuar deri në babëzi, por Sali Berisha, i pandehur për korrupsion, non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, mund të jetë i vetmi politikan në Evropë, familjarët e të cilit kanë aplikuar tarifa paralele dhe të ndryshme korrupsioni për biznesmenët në këmbim të favoreve nga qeveria e Sali Berishës, i cili hyri në politikë me një apartament parafabrikat 69 m2, ndërsa sot ka mbi 50 pasuri me vlerë dhjetëra miliona euro, në emër të fëmijëve.
Deri në dhjetor 2021, kur Sali Berisha dëboi Lulzim Bashën si kryetar i PD-së, rreth 100 biznesmenë, që përfitonin para dhe pasuri publike nga qeveria Rama, i paguanin haraç mujor kunarit të Bashës, Erion Isufi, përmes kompanisë të tij Landmark Communications. Pasi Berisha mori PD-në, biznesmenët ndërprenë pagesat për kunatin e Bashës dhe një pjesë e tyre nisën të financonin Syri Tv, me pronar faktik Shkëlzen Berishën.
Ndërkaq, Ismail Mulleti i dha 350 mijë euro Shkëlzen Berishës në vitet 2008-2009, ndërsa në 27 shkurt 2013, Sali Berisha, përmes kryefinancierit Ridvan Bode, i jep Ismail Mulletit koncensionin e markimit dhe monitorimit të karburanteve.
Ilir Karçini i dha në vitin 2009 Shkëlzen Berishës 150 mijë euro, ndërsa Berisha si kryeministër, përmes Genc Rulit, i dha në 2010 leje Karçinit për ndërtimin e depozitave bregdetare të gazit në zonën e Porto-Romanos.
Klod Allajbeu, përfitues i kontratave publike si gjatë qeverisjes Berisha, ashtu edhe gjatë qeverisjes Rama, i ka dhënë Shkëlzen Berishës dhjetëra mijëra euro përmes kompanisë së tij Agromel. Këto janë vetëm disa shembuj ilustrues se si Shkëlzen Berisha përfaqëson linjën kryesore të korrupsionit dhe gjobëvënies së Sali Berishës.
Tarifa paralale korrupsioni ka aplikuar edhe dhëndri zëhollë, Jamarbër Malltezi. Për shembull, Berisha bëri në qeveri VKM-në për hidrocentralin e Ashtës, nga ana tjetër HEC Ashta i paguan Jamarbër Malltezit 81 mijë euro. Berisha bën VKM për Mati Hidropower Plant, i cili i paguan Malltezit 30 mijë euro.
Irene Acqua Gas Albania Brunch në vitin 2009 merr dy projekte në dorëzim në Golem dhe në Tiranë lidhur me shërbimet e integruara të ujit dhe të shpërndarjes së gazit. Më pas, subjekti i jep Argita Berishës nga 8 mijë euro në muaj, kamufluar me marrjen me qira të një apartamenti.
Argita Berisha i kërkoi 3% si tarifë suksesi biznesmenit pakistanez
Zafar Ansar në këmbim për t’i hapur derën tek qeveria e babait të saj, Sali Berisha, për të investuar në Shqipëri. Behet fjalë për një investim që ai kërkonte ta zhvillonte në Shqipëri në fushën e energjetikës me vlerë 100 milione euro. Zonja Malltezi ka shërbyer si tra me pagesë për shumë biznesmenë që trokisnin në derën e qeverisë Berisha.
Argita dhe Jamarbëri, në vitin 2007, blenë tokë me 10 euro m2 Porto Romano. Më pas ia shitën Damir Fazlliç me 18 euro m2. Me këtë manovër besohet se futën në xhep 1.2 milionë euro. Më pas shfaqet Berisha, i cili angazhon qeverinë duke futur tokën e Fazlliçit në perimetrin e parkut energjitik.
Jamarbër Malltezi ishte trashëgimtar i pretenduar i 113 m2 tokë te ish Klubi Partizani. Nënshkroi një marrëveshje me pronarët e tjerë të pretenduar duke u kërkuar përqindje. Më pas angazhohet Sali Berisha, i cili përdor qeverinë dhe çdo degë të shtetit duke u kthyer (tjetërsuar) pronën publike, mbi të cilën dhëndri ngriti 19 kulla.
Mes skemave korruptive të Familjes Berisha, jo rastësisht non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe për korrupsion dhe minim të demokracisë, më e veçantë është ajo e Liri Berishës me fondacionin e saj, të cilin e ktheu në një model korrupsioni dhe lavatriçe pastrimi parash, gjatë kohës kur bashkëshortin Sali Berisha e kishte kryeministër. Vetëm gjatë mbrëmjes së 13 tetorit 2012, një rreth biznesmenësh, të cilët favorizoheshin nga qeveria Berisha, i paguan Liri Berishës mbi gjysmë milioni euro.
Biznesmenët përfitues të pushtetit të Berishës thirreshin dhe rreshtoheshin në eventet e Fondacionit të Liri Berishës, për të paguar me radhë, duke ndarë plaçkën publike që u kishte dhënë Sali Berisha si kryeministër.
Protagonist i kësaj skeme të dyshuar korruptive ishte edhe Rezart Taçi, i cili bleu për 100 mijë euro një pikturë të Alush Shimës. Ish-manjati kontrovers i naftës Rezart Taçi, i dënuar me 11 burg për pastrim parash me mafien italiane, grup i struktuar kriminal dhe kryerjen e veprave nga grupi i strukturuar kriminal, paguante herë pas here haraç pranë fondacionit të Liri Berishës, kamufluar me blerje pikturash.
Para se të vinte në pushtet në 2005, Berisha e kishte kërcënuar Taçin se do t’a nxirrte para drejtësisë dhe se do t’i merrte pasuritë dhe paratë publike që i kishte dhënë qeveria e Fatos Nanos, duke ia kthyer shqiptarëve. Por, pas ardhjes në pushtet, Taçi u kthye në biznesmenin kryesor në oborrin e Familjes Berisha. Taçi kapi tregun e shitjes së karburanteve, duke arritur kulmin gjatë pushtetit të Berishës 2005-2013.
Përmes një procesi të paqartë dhe korruptiv, Sali Berisha shkoi deri aty saqë i shiti Taçit kompaninë shtetërore përpunimit të naftës ARMO, të cilën Taçi që e dorëzoi më pas tek azerët, me një mal me borxhe.
Rezart Taçi me bekimin e Familjes Berisha besohet se ka përfituar qindra milionë euro me skema mashtrimi, kapje tregu, evazion fiskal, kontrabandë nafte, privatizim të pasurive publike etj.
Taçi gjeti një formë të veçantë, atë përmes blerjeve të pikturave në ankand, për të paguar një pjesë të haraçit te Liri Berisha, bashkëshorti i të cilës lejoi Taçin të bënte kërdinë me paratë dhe pasuritë publike
Një tjetër biznesmen kontrovers që ka paguar te fondacioni i Liri Berishës është Francesco Bechetti, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 17 vite burg për vjedhje, pastrim parash, falsifikim dokumentash dhe skema mashtruese me TVSH-në. Francesco Bechetti i ka dhënë 100 mijë euro fondacionit të Liri Berishës, duke blerë një pikturë të Orion Shimës.
Bechetti, i cili prej vitit 1997 që pretendonte se do të ndërtonte një hidrocentral në Kalivaç të Tepelenës, ka paguar haraç te Liri Berisha, në këmbim të lejes nga Sali Berisha për të vjedhur paratë publike me TVSH dhe pastruar para në Shqipëri përmes kompanive “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “Agon Set”.
Sollëm në vëmendje vetëm disa episode nga perandoria korruptive Familjes Berisha gjatë dhe pas rënies nga pushteti, të reflektuar pjesërisht në dosjen që SPAK ka referuar për gjykim në GJKKO. Faktet tregojnë për një nga familjes biologjike dhe politike më të korruptuar në historinë shtetit shqiptar.

