Zjarri në Krujë, Rama: Mirënjohje zjarrfikësve, ia dolën me sukses një sfide të frikshme! U shmang një bilanc që mund të kishte qenë tragjik: Vetëm një magazinë e shkrumbuar, asnjë banor i lënduar

Zjarri në Krujë, Rama: Mirënjohje zjarrfikësve, ia dolën me sukses një sfide të frikshme! U shmang një bilanc që mund të kishte qenë tragjik: Vetëm një magazinë e shkrumbuar, asnjë banor i lënduar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e zjarrit në Krujë, duke thënë se beteja me flakët ka përfunduar pa të lënduar dhe me vetëm një magazinë të shkrumbuar.

Rama vlerësoi ndërhyrjen e zjarrfikësve, ushtrisë dhe policisë, të cilët, sipas tij, në kushtet e erës së fortë dhe pamundësisë për të ndërhyrë nga ajri gjatë natës, shmangën një bilanc që mund të ishte tragjik.

Postimi i plotë

Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese.

Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës:

“Zoti Kryeministër! Ju lutem zjarri po merr përmasa te mëdha ne Kruje! Po punojnë si heronj Zoti ia shpërbleftë …por era po e perhap me shume shpejtesi .ne eshte e mundur per perforcime te tjera ..shteti eshte ne kembe i teri”.

Mirënjohje dhe respekt i thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit si edhe trupave speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës duke ia dalë me sukses një sfide të frikshme dhe nga Kruja në Kamëz, Tiranës dhe Vorës, luftuan pa ndërprerje me zjarret e këtij gushti përvëlues