HomeBlog

Nga “paprekshmëria” e politikës tek “paprekshmëria” e drejtësisë

Nga “paprekshmëria” e politikës tek “paprekshmëria” e drejtësisë

Nga Mero Baze

Drejtësia shqiptare sot ka dy arritje të mëdha në favor të vet, ajo është e pahetueshme dhe e paprekshme nga ligji. Madje deri tani këto të dyja janë dhe të vetmet arritje të Reformës në Drejtësi.

Nëse me ngritjen e SPAK suksesi i parë i prekshëm dukej se ishte rënia e mitit për paprekshmërinë e politikanëve të lartë, ai u thye madje u kalua në linçim ndaj tyre për të krijuar idenë se drejtësia po funksionon. Ndërsa miliona shqiptarë vuajnë pasojat e mungesës së drejtësisë, korporata e Drejtësisë shqiptare u shet shqiptarëve për drejtësi pikërisht faktin që ka futur në paraburgim politikanë pa gjyq.

Por pasi spektakli ka mbaruar, gjyqet ndaj politikës kanë nevojë për ballafaqim faktesh, korporata e drejtësisë ka filluar të mendojë për vete dhe po vendos standarde të dyfishta.

Standardi i parë i dyfishtë është se mungesa e transparencës në proceset gjyqësore, mbajtja e gjyqeve të mbyllura, dhe pengimi i të akuzuarve të kenë dhe mundësi fizike të njihen me dosjet dhe të kontaktojnë me avokatët. E gjithë kjo që ata të mos kenë mundësi të mbrohen dhe akuzat apriori të kthehen në vendime me gjyqe sipërfaqësore.

Standardi i dytë edhe më i pistë se i pari, është që korporata e drejtësisë kërkon të mos hetohet dhe gjykohet vetë për shkelje ligji.

Ndërsa ne duhet të mësojmë sa palë mbathje ka blerë Ajola, çfarë mase e kishte fustanin, çfarë ka bërë Monika dhe i janë gjetur mesazhe seksi në telefon, për të cilat nuk jemi shumë të interesuar, ne e paskemi të ndaluar të mësojmë kush është Olsi Dado, me çfarë nota e ka mbaruar shkollën, pse 15 vjet nuk gjente dot një punë dhe befas me lidhje politike u emërua prokuror jashtë çdo standardi, pse u përzgjodh pikërisht një prokuror me probleme të komandohej në SPAK, çfarë premtimesh u ka dhënë rekrutuesve që ta “meritonte” këtë privilegj, pse vetingu ndaj tij ka qenë i përciptë dhe ka fshehur aktivitete të padeklaruara të tij e dhjetëra gjëra të tjera të paligjshme.

Pra nëse ne jemi të detyruar të dëgjojmë nga prokuroria lloj-lloj hollësish për jetën private të njerëzve nën akuzë që nuk kanë interes publik, ne e paskemi të ndaluar të kërkojmë të dimë për jetën e një prokurori të rekrutuar në kundërshtim me ligjin.

Arsyetimet për të hetuar paligjshmërinë e emërimit të prokurorit janë tërësisht burokratike, procedurale, dhe fshehin frikën nga hetimi i së shkuarës së tij.

Olsi Dado nuk ka bërë ndonjë krim që duhet të shkojë në burg pse e kanë emëruar prokuror në mënyrë të paligjshme, pasi ashtu duhet të dënojmë dhe ata që i kanë vënë 5-at kot sa për të marrë diplomën.
Ajo është çështje e “arritjeve” të tij në jetë, maksimumi nuk do të jetë më prokuror, pasi ligjin nuk e ka shkelur ai, por të tjerë që e kanë bërë prokuror.

Kjo që po ndodh tani është vepër penale e tij. Kjo që ndodh tani, tregon realisht krijimin e një korporate drejtësie, ku prokurori i SPAK dëshmon pushtetin e frikës mbi pjesën tjetër të drejtësisë. KLP, e cila mendohet të jetë institucion model që përzgjedh prokurorët, as denjon të mblidhet të shqyrtojë ankesat ndaj Dados, por çon një sekretare në gjyq dhe thotë s’keni të drejtë të mësoni si është bërë prokuror Olsi Dado.

Domethënë një i pandehur paska kusur që Olsi Dado të përdorë fundërrinat e tij në shtyp dhe t’i nxjerrë dhe SMS pa interes publik, kurse qytetarët nuk paskan të drejtë të mësojnë kush e ka shkelur ligjin të bëhet ky prokuror. Dhe kur e gjithë kjo bëhet përmes shantazhimit të njerëzve të drejtësisë nga prokurori, kjo është vepër penale.

E keni parë këto dy ditët e fundit se si dalin “të besuarit” e SPAK-ut nëpër TV dhe flasin se si një prokuror është filmuar në videot e Gjicit. Jam i bindur që është e vërtetë, por ka dhe të vërteta të tjera më të hidhura se kaq në SPAK dhe GJKKO. Por meqë aty ka plasur lufta e brrylave ndaj njëri-tjetrit, pilotohen lajme kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që SPAK-ut ne i kemi besuar ndershmërinë e hetimit. Nëse ka një prokuror që del në “videot e Gysit”, kreu i SPAK-ut del në konferencë shtypi bën njoftim publik dhe e çon çështjen për hetim, nuk e çon për gjyqe popullore në ekrane.

Nëse ka prokurorë të SPAK që shfaqen në dosje të tjera të “sekretuara” si prokurorë që kanë marrë ryshfete, çohen për hetim, nuk mbahen nën shantazh dhe u jepen dosje politike për të bërë shërbime politike. Një prokuror i SPAK që di një të vërtetë dhe hesht, duke e përdorur atë për shantazh, e ka vendin në bankën e të akuzuarve dhe jo në areolën e nderit të drejtësisë shqiptare.

Fakti që këta njerëz nuk pranojnë të hetohen, nuk pranojnë as të nisë formalisht një hetim ndaj tyre, bazuar në fakte të pamohueshme të shkeljes së rregullave të emërimit të tyre, do të thotë se ata duan të mbrohen para shqiptarëve si një pushtet i paprekshëm me arsyetimin se ata paskan futur disa politikanë në paraburgim dhe për këtë arsye nuk mund t’i hetojë më njeri bëmat e tyre.

Pra këta “heronj të paprekshmërisë” së politikanëve, duan ta kthejnë veten në “monument të paprekshmërisë” nga ligji edhe kur atë e shkelin me të dy këmbët dhe kur rekrutohen në mënyrë të paligjshme me qëllim që të përdoren për shërbime politike dhe fatkeqësisht kur shkelin ligjin duke u përfshirë në korrupsion.

Dhe pastaj ankohen mos na thoni që jemi “Republikë prokurorësh”. Janë dhe pak më keq. Monarki prokurorësh, që mendojnë se deri në vdekje nuk do ikin nga ato zyra.