HomeKronike

Operacioni anti-drogë në Shkodër, Lezhë, Krujë dhe Tropojë! Dronët zbulojnë mbi 20 mijë rrënjë kanabisi, 1 në pranga dhe 10 në kërkim

Operacioni anti-drogë në Shkodër, Lezhë, Krujë dhe Tropojë! Dronët zbulojnë mbi 20 mijë rrënjë kanabisi, 1 në pranga dhe 10 në kërkim

Nga kontrollet e kryera gjatë 72 orëve të fundit, dronët kanë zbuluar mbi 20 mijë bimë kanabisi, të kultivuara në zona të thella malore në Malësinë e Shkodrës, në Lezhë, Krujë dhe Tropojë. Vetëm njëri nga kultivuesit u arrestua në flagrancë, ndërsa 10 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në Malësinë e Shkodrës, si rezultat i fazës së 12-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, u asgjësuan 15 744 bimë narkotike cannabis sativa. Si autorë të dyshuar për rastet e kultivimit, u vu në pranga shtetasi Rr. Q. dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Në zona malore të rrethit të Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 1909 bimë narkotike cannabis sativa. Si autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas.

Në zona malore të qarkut të Lezhës, si rezultat i fazës së 32-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan 1854 bimë narkotike cannabis sativa. Si autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas.

Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 6-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 1390 bimë narkotike cannabis sativa. Si autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve u identifikuan dhe u shpallën në kërkim 4 shtetas.

Me qëllim asgjësimin e çdo bimë cannabis sativa të kultivuar, Policia e Shtetit do të intensifikojë edhe më shumë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike.

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, pasi vetëm bashkërisht mund të ndërtojmë një ambient të sigurtë.