Sali Berisha dhe ministri i Kulturës Blendi Gonxhja, janë përfshirë në replika të ashpra në Kuvend ditën e sotme.
Gjithçka nisi pas akuzave të Berishës, i cili tha se Gonxhja ka hyrë në lice pa meritë, por pasi sipas kreut të PD, i ati i tij dorëzoi te diktatori Enver Hoxha një pikturë të ‘Mercedesit’ të tij. Berisha tha se piktura u supozua se ishte realizuar nga Gonxhja, asokohe në moshë të vogël dhe për këtë sipas tij shkruajtën edhe gazetat e kohës.
Kjo sipas Berishës e detyroi liceun e arteve që ta pranonte Gonxhen. Duke akuzuar Gonxhen në Kuvend, për ta përforcuar tezën e tij, Berisha lexoi në tablet edhe mesazhin e një ‘qytetari dixhital’ për këtë histori.
Gonxhja i kundërshtoi deklaratat e Berishës dhe tha se në lice ishte futur me meritë. Ministri deklaroi se veç pasionit për të pikturuar makina, që theksoi që e kishte që 3 vjeç, i kishte dhuruar Enver Hoxhës në moshën 8-vjeçare një portret të Qemal Stafës. Sali Berishën, Gonxhja e quajti një sekretar të rëndomtë partie që sipas tij, e ka dëmtuar Shqipërinë për 37 vite.
“Unë kam vizatuar që 3 vjeç, prandaj në Lice nuk mund të hyja me mik. Kisha pasion të vizatoja makinat. Benzi që vinte në Palorto në atë kohë ka qenë fiksim i një fëmije dhe sigurisht që e kam vizatuar. Një benz… unë nuk kam asgjë për të fshehur në jetë, sepse po ju tregoj historinë e një fëmije 8 vjeç. Një portret i Qemal Stafës ka dalë edhe në revistën pioneri, sepse ka qenë një portret shumë i bukur që unë në 1978 ia kam dhuruar Enver Hoxhës. Një fëmijë 8 vjeç nuk e dinte në atë kohë që ishte diktator. Edhe kush na tregon këtu, një sekretar partie i rëndomtë. Një zhele prej 37 vitesh që nuk i shporret këtij vendi nga sytë. Por për respekt të qytetarëve, Gonxhja ka hyrë në lice dhe në akademine e arteve me meritë. Një artist që është marrë me jetën e vet dhe nuk i ka hyrë kurrë në hak askujt”, tha mes të tjerash Gonxhja.

